Inter e nis vitin 2016 sërish në krye. Zikaltërit mundën 1-0 Empolin në transfertë, pas një ndeshjeje shumë të luftuar që u zgjidh nga një gol i Icardit. Një rezultat i rëndësishëm për ekipin e Mancinit që tregon se ka vazhdimësi në rezultate duke iu përgjigjur në distancë dhe Fiorentinës, viti i së cilës ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme. Ekipi vjollcë mundi 3-1 në transfertë Palermon, falë dy golave të jashtëzakonshëm të Josip Ilicic. Gilardino u përpoq në pjesën e dytë të rihapte sfidën për siçilianët, por Blaczykowski mbylli përfundimisht takimin me golin e 1-3. Fillim i mbarë dhe për Napolin që ruajti diferencën prej 1 pikë me Interin kryesues pasi mundi 2-1 Torinon, falë golave të Insignes dhe Hamsik.

Juventus regjistroi fitoren e 8-të radhazi pasi mundi 3-0 Veronën, me gola të Dybala, Bonucci dhe Zaza. Me këtë fitore bardhezinjtë parakalojnë madje dhe Romën  që sërish shpërdoroi një epërsi të dyfishtë përballë Chievos. Golat e Sadiq dhe Florenzit në pjesën e parë u përmbysën nga Paloschi dhe Dainelli, ndërkohë që goli i 2-3 i Falques u duk sikur i dha suksesin verdhekuqve por një gol i akorduar falë line-technology për Pepen bëri që dy ekipet të ndajnë nga një pikë mes tyre. Milani e nisi vitin me humbje duke treguar se vazhdon të mbetet një skuadër plot probleme. Kuqezinjtë u mposhtën 1-0 në San Siro nga Bologna, që mori 3 pikët pas një goli në fund të Giaccherinit. Një pikë mori dhe Frosinone e Ajetit, me mbrojtësin kuqezi që bëri debutimin në Serie A me gol, dukë shënuar prozivorisht golin e 1-2 për të tijtë.