Një president që ka në stol një trajner si Jose Mourinho duhet ta fusë dorën sa më thellë në xhepat e tij. Trajneri luzitan është njeriu që ka shpenzuar më shumë në 10 vitet e fundit. Shifrat janë të ftohta dhe nuk mund t’u shpëtosh, dhe sipas “Daily Mail”, “Special One” është trajneri që nuk mendon aspak për shpenzimet që duhet të bëjnë presidentët.

Në dekadën e fundit, Mourinho ka shpenzuar plot 844 milionë euro në klubet ku ka punuar, i ndjekur nga Manuel Pellegrini me 814 dhe Carlo Ancelotti me 635 milionë. Ajo që bie në sy është shuma e madhe e shpenzuar nga Pellegrini, por në fakt ai është njeriu që ndezi dritën jeshile të blerjes së Ronaldos, Karim Benzema dhe Xabi Alonsos në vitin 2009 te Reali i Madridit për rreth 190 milionë euro. Jose Mourinho ka drejtuar skuadra të pasura si Reali i Madridit, Interi dhe Chelsea ku milionat nuk kanë munguar.

Sipas përllogaritjeve, vetëm në vitin 2015 ai ka blerë lojtarë me vlerë 91 milionë euro, shumë e cila justifikon vetëm një titull të fituar. Cesc Fabregas dhe Diego Costa zënë pjesën e “Luanit” në investimet e luzitanit, i cili i kërkoi personalisht dy lojtarët për të forcuar “Blutë” e Londrës. Në vendin e katërt të këtij klasifikimi renditet Roberto Mancini me 601 milionë, i ndjekur nga Pep Guardiola 521 milionë euro. Dhjetëshja e trajnerëve që kanë shpenzuar më shumë në këto 10 vite vazhdon me Rafael Benitez, Louis van Gaal, Arsene Wenger, Brendan Rodgers dhe Sir Alex Ferguson.