Arritja e finaleve të Kampionatit Europian nuk është diçka pozitive vetëm për futbollin e luajtur në fushën e lojës, por edhe për atë të zyrave. Europiani i këtij viti është ndryshe nga ai i viteve të kaluara, pasi Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s pritet që të miratojë një buxhet të kënaqshëm për 24 skuadrat pjesëmarrëse. Janë plot 301 milionë euro që do të ndahen mes ekipeve që marrin pjesë në këto finale të Kampionatit Europian, të kualifikuarave, çerekfinalistëve, gjysmëfinalistëve dhe fituesit e këtij kompeticioni. Në kampionatin EURO 2012 që u zhvillua në Poloni dhe Ukrainë ishin akorduar vetëm 184 milionë euro në total, ndërsa këtë vit kjo shifër thuajse është dyfishuar. Diçka pozitive edhe për Shqipërinë, e cila merr pjesë për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm. Skuadra e Xhani De Biazit arriti që të bënte realitet ëndrrën e shqiptarëve, ndërsa tani do tentojë të vazhdojë të surprizojë edhe në Francë. Pse jo, edhe për të shtuar vlerën e zarfit me të cilin do të kthehet nga Franca. Fillimisht, Shqipëria do të përfitojë 8 milionë euro si një nga Kombëtaret që ka marrë pjesë.
Kjo vlerë do të shtohet në rast se kuqezinjtë do të marrin rezultat pozitiv në fazën e grupeve. Një barazim vlerësohet me 500 mijë euro, ndërsa fitorja me një milion euro. Kur një ekip arrin të kualifikohet në fazën pas grupeve do të përfitojë 1.5 milionë euro, ndërsa për çerekfinalet 2.5 milionë euro. Ekipet që do të kalojnë në gjysmëfinale do të përfitojnë 4 milionë euro. Për ekipet që shkojnë në finale sigurisht që do të kenë një trajtim special. Fituesja e kampionatit do të përfitojë 8 milionë euro, ndërsa ekipi i vendit të dytë pesë.
Duke bërë një llogari të thjeshtë, një skuadër që fiton Kampionatin Europian dhe i fiton të tria ndeshjet në fazën e grupeve do të përfitonte në total 27 milionë euro, 4 milionë më shumë sesa në vitin 2012. UEFA këtë herë është treguar më bujare se vitet e shkuara duke i kënaqur në maksimum ata që marrin pjesë në këtë kompeticion të rëndësishëm të kontinentit.
PËRFITIMET
EKIPET PJESËMARRËSE
8 milionë euro
FITORJA NË GRUPE
1 milion euro
BARAZIMI NË GRUPE
500 mijë euro
KUALIFIKIMI
1.5 milionë euro
ÇEREKFINALET
2.5 milionë euro
GJYSMËFINALET
4 milionë euro
FINALISTI
5 milionë euro
FITUESI
8 milionë euro