Ka nisur me një aksident të rëndë edicioni 2016 i garave “Rally Dakar”, aktivitet që po zhvillohet në Argjentinë. Edhe pse sot u zhvillua gara e prologut, 11km e gjatë në periferi të Buenos Airesit, një aksident ka sjellë plagosjen e 13 personave, 3 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Makina e kinezit Guo Meiling ka dalë nga pista, pasi piloti humbi kontrollin e saj, një mini-cooper, duke shtypur disa spektatorë, 6.6 km larg finishit. Mes të plagosurve edhe një baba me djalin e tij që po ndiqnin garat. Sipas mediave vendase, 4 nga të plagosurit janë minorenë dhe njëri prej tyre është dëmtuar në shpinë. Madje përflitet se mes të plagosurve është dhe një grua shtatzënë, por për momentin këto janë ende të pakonfirmuara.
Aksidenti ka ndodhur në orën 17:50 me orën lokale, pak kilometra nga Arrecifer, aty ku ishte vendosur edhe finishi i garës. Në dalje të një kthese të madhe, makina me nr.360 nuk arriti të mbante trajektoren dhe doli në një zonë ku kishte shumë spektatorë. Gara u ndërpre menjëherë dhe drejtori i turneut, Etienne Lavigne shkoi me helikopter në vendngjarje bashkë me 4 helikopterë të tjerë të ndërhyrjes së shpejtë si dhe mjaft mjete spitalore dhe autoambulanca.

“Njerëzit që ndodheshin aty po kalonin një festë, por në pak momente gjithçka u kthye në tragjedi. Nëse nuk ka të vdekur, do të jetë një mrekulli”, tha piloti Juan Cruz Alvarez, që ishte dëshmitar në këtë aksident. Kjo është hera e parë në historinë e garave “Rally Dakar” që ndodh një aksident si ky në prolog, pa nisur ende etapa e parë.

Në këtë kampionat janë 110 makina nga 60 vende të ndryshme të botës, 55 kamionë, 143 moto dhe 46 quad. Në kategorinë e motoçiklizmit në komandë ndodhet Joan Barreda me Honda, ndërsa në kategorinë e makinave kryeson holandezi Bernhard ten Brinke me Toyota. Sot do të zhvillohet etapa e parë e “Rally Dakar 2016”, Rosario-Villa Paz, 662km e gjatë.