Një seri akuzash të rënda ndaj trajnerit të Kombëtares U21, Redi Jupi, ka bërë  mesfushori nga Kosova, Mërgim Brahimi. Ai thotë se ka qenë pikërisht Jupi ai që e ka larguar futbollistin nga gjiri i Përfaqësueses kuqezi pasi nuk është sjellë aspak korrekt, madje edhe e ka kërcënuar.

“Para ndeshjes me Rusinë më erdhi ftesa nga Redi Jupi që të luajmë në Moskë dhe përgjigja ime ishte se duhet të fluturojë një ditë më vonë pasi kishim ndeshje me klubin tim Grasshopper dhe nuk më lejonin. Jupi më tha se atëherë do të duhet ta nxjerrë me para të mija biletën e aeroplanit dhe kjo gjë nuk ishte në rregull dhe nuk pranova.  

Pas insistimit tim që FSHF të paguaj biletën ashtu ndodhi dhe shkova në Rusi. Në Moskë Jupi më kërkoi paratë e biletës që ka paguar FSHF dhe natyrisht që nuk ia dhashë sepse është detyrë e FSHF-së të paguaj biletat e lojtarëve. Luajtëm ndeshje dhe arritëm një barazim të madh përballë Rusisë 0-0. Kur po kthehesha për në Zvicër ishim katër futbollistë nga Zvicra, ndërsa tre prej tyre fluturuan mua më thanë se nuk kam biletë kthyese për tu rikthyer.

Kam telefonuar pa reshtur Redi Jupin dhe të gjithë në FSHF por askush nuk mu përgjigj. Më malltretuan (keqtrajtuan), më tradhtuan, më lanë të vetëm në një shtet si Rusia dhe u desh të qëndroj një natë në hotel për ta nxjerrë biletën të nesërmen dhe të fluturojë për në Zvicër.

Me të ardhur në Zvicër kam thënë se nuk do të kthehem më në Shqipëri deri sa të jetë ai njeri aty. Ai më kërcënoi edhe me jetë duke thënë se do të më varte në shesh të Tiranës por nuk do t’i realizohet asnjëherë ajo dëshirë. Jupi nuk mund të bëhet me shqiptar se unë. Një person si ai që e dëmton Shqipërinë duke i larguar talentet me sjelljet e tij të vrazhda nuk është shqiptar dhe nuk ia do të mirën vendit të tij”, shprehet Brahimi për Telegrafin, teksa tregon edhe përvojën e tij me Zvicrën.

Një ditë më parë ka ardhur edhe reagimi i FSHF­së lidhur me akuzat e Brahimit. Në deklaratën zyrtare FSHF thotë se nuk lejon kurrsesi të prishet dhe cënohet imazhi i trajnerit Jupi.

“Federata Shqiptare e Futbollit, në lidhje me deklaratat e publikuara në disa rrjete sociale, të futbollistit Mërgim Brahimi, ka këtë reagim: Prej shumë kohësh Federata Shqiptare e Futbollit, kërkon, vëzhgon dhe seleksionon talentet shqiptare që luajnë futboll në Europë, me qëllim afrimin e tyre në skuadrat tona kombëtare.

Kjo metodë pune, ka vite që realizohet dhe në këto grupe pune marrin pjesë, specialistët më të mirë të saj dhe trajnerët e ekipeve kombëtare. Institucioni i futbollit shqiptar, i ka krijuar kushte maksimale kujtdo që ka pranuar të luajë për fanellën kuqezi, si në nivele moshash ashtu edhe në nivelin më të lartë që është ekipi kombëtar.

Këtë përkujdesje, institucioni i futbollit e ka treguar në dhjetëra raste.

Sigurisht, është zgjedhje personale e futbollistëve, nëse dëshirojnë të luajnë për Shqipërinë apo për ndonjë vend tjetër. Ky është vendimi i tyre i respektuar nga ne, sepse kjo ka lidhje me interesat e vetë personit.

Edhe në rastin e Mërgim Brahimit, FSHF si institucion, ka respektuar vendimin e futbollistit e i uron atij, suksese në karrierën futbollistike, si në klub ashtu edhe në kombëtaren që ka zgjedhur. Ky urim vlen për të gjithë ata lojtarë, që kanë bërë zgjedhje ndryshe. Ky është qëndrimi ynë parimor, njerëzor dhe profesional, në çdo rast.

Por kurrsesi, Federata Shqiptare e Futbollit, nuk do të lejojë që të cënohet dinjiteti dhe personaliteti i njerëzve që kontribuojnë në maksimum për futbollin shqiptar, i specialistëve të përkushtuar dhe i vetë institucionit të futbollit. Ne vlerësojmë punën dhe kontributin e Redi Jupit, si ish­lojtar i ekipit kombëtar, si drejtues i Sektorit të Ekipeve Kombëtare dhe si trajner i Ekipit U­21.

Përkushtimi dhe profesionalizmi i tij dhe i të gjithë specialistëve të tjerë të FSHF­-së, i trajnerëve dhe stafeve të ekipeve kombëtare, ka bërë që niveli i këtij sporti të rritet dhe ai të shndërrohet në simbol për të gjithë shqiptarët. Rezultatet e futbollit tonë dhe sukseset e tij vitet e fundit, janë qartësisht të suksesshme dhe ato bëjnë të lumtur çdo shqiptar, kudo ndodhet.

Pavarësisht faktit, se këto deklarata janë të vërteta, keqkuptime apo sajesa mediatike, ne dëshironim me këtë rast të informonim publikun, për trajtimin me shumë kujdes që i bëhet nga ana e institucionit tonë, të çdo talenti shqiptar” – shkruan FSHF.