Talenti shqiptar, i cili aktivizohet me Grasshopper, ka përfunduar në “radarët” e klubit anglez, që nga ana e tyre janë shprehur të gatshëm ta marrin që në merkaton e janarit. Lajmin e bënë të ditur gazeta prestigjioze “The Guardian”, në versionin e saj online.

Everton i ka ofruar kontratë 4 vjet e gjysmë 20-vjeçarit, i cili këto ditë ndodhet në Liverpool për të biseduar personalisht me drejtuesit e klubit. Sipas asaj që raporton “The Guardian”, bisedimet janë në fazë të avancuar. Megjithatë Grasshopper dëshiron ta transferojë në formë huazimi Tarashaj-n deri në fund të sezonit, por Everton kërkon ta blejë me çdo kusht kartonin e tij.

Shani Tarashaj është një lojtar kyç te skuadra zvicerane, dhe konsiderohet një talent i vërtetë në Kampionatin Zviceran. Deri tani ai ka shkëlqyer me formën e tij, pasi ka realizuar 8 gola në 18 ndeshje, duke ndihmuar Grasshopper të renditet në vendin e dytë të Super League, pas Baselit kryesues.