*Armand Duka i përmirëson kontratën, De Biasi refuzon miliona euro për Shqipërinë

Trajneri i Kombëtares Shqiptare të Futbollit bën bilancin e 2015-s, dhe përkundër spekulimeve të ndryshme mediatike, garanton se e ardhmja e tij është Kuqezi.“E ardhmja për mua është Shqipëria, Europiani dhe pastaj kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018″, më shumë në kohë nuk mund të parashikojmë pasi varet nga shumë faktorë, por besoj se kam treguar gjithmonë se kam synime të mira për të qëndruar këtu dhe kam treguar se nuk shpërqendrohem nga sirenat që kanë tentuar të më joshin”.

Para pak ditësh De Biasi ka drekuar me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka, ku ka marrë edhe premtimin për përmirësimin e aspektit financiar të kontratës.“Kontrata ishte e shkruar dhe u rinovua automatikisht kur arritëm kualifikimin. Unë nuk kërkova gjë, por e di që presidenti me bujarinë e tij do t’ia dalë të më përmirësojë kontratën mua dhe bashkëpunëtorëve të mi. Jam i bindur që do e bëjë por edhe nëse nuk e bën kjo nuk ndryshon asgjë”.

Pra nuk është një çështje parash dhe për të provuar diçka të tillë, De Biasi bën edhe një rrëfim sensacional, pasi vetëm pak javë më parë ka refuzuar jo pak, por plot 5 milionë euro nga një ekip kinez për të qëndruar me Shqipërinë. “Është e vërtetë, një ofertë që më erdhi para 3 javësh. Nuk e mora në konsideratë edhe pse ishin shumë para, 2 milionë e gjysmë euro në vit për dy vjet, plus benefitet dhe gjithë të tjerat, por besoj se për mua kënaqësia më e madhe është të jem me djemtë e mi në Francë dhe mundësisht t’i çoj sa më para të jetë e mundur. Besoj se ky është urimi që u bëj të gjithëve”.