Pas disa muajsh pushim, Federata Shqiptare e Volejbollit ka zhvilluar gjatë ditëve të fundit projektin e saj “Top Mini Volley & Schools”, që ka si qëllim promovimin e këtij sporti në shkolla.

Në fakt, FSHV-ja e kishte fituar këtë projekt disa muaj më parë, por ende nuk kishte nisur zbatimi i tij, për shkak të ngërçit insitucional që kishte pushtuar këtë Federatë. Por pas zgjedhjeve të reja dhe me fondin gati të miratuar nga ndërkombëtarët, ka nisur zbatimi i këtij projekti.

Gjatë ditëve të fundit drejtuesit e FSHV-së kanë qenë në disa qytete të Shqipërisë si, Divjakë, Lushnjë, Fier, Vlorë, Himarë e në fund edhe në Durrës. Ky projekt është financuar nga Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB), që ka sjellë topa e rrjeta për promovimin e këtij sporti në shkolla.

Një projekt që u zhvillua edhe me mbështetjen e drejtorive arsimore në rrethe dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, që pritet të përhapet edhe në qytete të tjera të vendit.