“Modestia”? Një fjalë që Zlatan Ibrahimovic nuk e njeh. Sulmuesi shtatlartë nuk do të bëjë lojëra fjalësh kur pyetet për kontributin e tij, ai i ka mendimet të qarta. “Unë bëj pjesë në rangun e njerëzve që kanë shkruar historinë e Paris Saint Germain“, shprehet bomberi suedez që u transferua në Francë gjatë vitit 2012 duke fituar tre tituj me ekipin kryeqytetas.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem në një skuadër të tillë. Nuk ka qenë e lehtë, por tani jemi në rrugën e duhur. Jam një nga të parët njerez që kam punuar që klubit të ngjitet në nivelet më të larta. E dija që do të isha vendimtar për të ardhmen e Paris Saint Germain. Kur të largohem mund të them me plot gojën se kam dhënë një kontribut të madh për këtë projekt”. 

34-vjeçari  që u transferua nga Milani te PSG shton se klubi francez ka punuar shumë për të qenë mes më të mirëve të Europës dhe projekti i presidentit Al Khelaifi e bëri që në vitin 2012 të merrte vendimin për t’u zhvendosur në Ligue 1. Gjatë 3 viteve të fundit Paris Saint Germain ka fituar po kaq trofe në kampionat, ndërsa Ibrahimovic ka arritur të shënojë në vazhdimësi duke ruajtur një mesatare të frikshme.