Pas fitores me Partizanin, ekipi bregdetar i Teutës është shpërndarë, duke shijuar suksesin e pjesës së parë të sezonit. Durrsakët u konfirmuan si forca e tretë e kampionatit, duke qenë brenda të gjitha pritshmërive. Pas suksesit në kryeqytet, mesfushori Bruno Dita tregon emocionet, por në të njëjtën kohë komplimention ekipin për fitoren që, sipas tij, ishte tërësisht e merituar.
“Para ndeshjes me Partizanin pak kush e mendonte që do t’i mundim në Tiranë, aq më tepër që kundërshtarët kishin disa javë pa fitore, ashtu si ne. Pra, nuk e shikonin skuadrën tonë që do ta thyente ekipin e kuq. Ne e kishim përgatitur si duhet ndeshjen dhe trajneri ka punuar me çdo lojtar edhe nga ana psikologjike. Punuam fort dhe rezultatin e morëm në fushë dhe jo në gazeta apo televizione me deklarata. Ne para çdo ndeshjeje përgatitemi sipas karakteristikave të kundërshtarit dhe udhëzimet apo dhe direktivat nga trajneri i marrim të tilla. Nuk kemi bërë asgjë më shumë se detyrën tonë. Ne fund, secili futbollist apo skuadër, futet në fushë për të fituar dhe nuk shikohet kundërshtari nga forca apo emri që ka.
Në të kundërt, do të dorëzoheshim pa u futur në fushë. Një avantazh për ne është edhe stafi teknik me në krye Maganin, që di të motivojë ekipin dhe kur vjen pas një serie rezultatesh jo të mira. Ndaj Partizanit ishte një ndeshje mjaft e fortë, por që skuadra jonë e kishte vlerë- suar si duhet. Ditëm të shfrytëzonim mundësinë që na u dha, edhe pse kishim raste të tjera. Pas golit administruam rezultatin dhe kjo është detyra jonë. Jemi të lumtur që morëm tri pikë në një transfertë ndaj Partizanit, duke i kthyer reston pas asaj humbjeje në fazën e parë”, ka thënë titullari i ekipit durrsak.