Skuadra Kombëtare do të mbajë të veshura fanella të stampuara nga firma e veshjeve “Makron” dhe jo më “Adidas”. Drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit e kanë bërë një zgjedhje të tillë (përveç të tjerash) edhe për shkak të një kërkese të veçantë që ka: dizenjo e personalizuar e fanellës së Kombëtares. Kjo është një kërkesë që firmat prestigjioze si “Adidas” nuk e pranojnë, pasi nuk janë të gatshëm të ndryshojnë dizenjot e tyre me elemente të veçanta që kërkon një ekip të shtojë në fanellë. 

“Montenegro Airlines” është sponsori tjetër që do të kenë kuqezinjtë në paraqitjen e tyre të parë në Europian. Kompania ajrore do të jetë një sponsor i shtuar për kuqezinjtë. “Makron” është firma që prodhon fanellën e skuadrës kryeqytetase në Serinë A, Lacios. Ajo aktuale e bardhekaltërve ka të formuar një shqiponjë në gjoks, duke qenë simboli i ekipit. Një ide kjo e ngjashme edhe për kuqezinjtë që duan të shtojnë një element të tillë në fanellë për pjesëmarrjen e parë në Europian.