Financat e sigurta që Domosdova kishte këtë fazë të parë të kampionatit, e bënë shefin e klubit, Ardi Facja, që të kishte luksin e afrimit në ekip të disa futbollistëve të huaj. Një prej tyre ishte dhe braziliani nga Koritiba, Alex Sandro Da Silva.

Braziliani 18-vjeçar emigroi drejt Shqipërisë këtë vit së bashku me pjesën tjetër të brazilianëve që ish-tekniku i Kukësit, Marcelo Troisi, solli në disa ekipe shqiptare. Teksa shumica e brazilianëve pati shansin t’u bashkoheshin ekipeve si Kukësi, Pogradeci etj., Da Silva u mjaftua me Domosdovën e Kategorisë së Dytë. Ai u afrua me bujë si një talent në sulm, por për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme që pësoi, më shumë qëndroi jashtë fushë, shkruan Panorama.

Arriti të aktivizohej në vetëm një ndeshje ku e bëri sefte dhe me një gol të shënuar. Dhe në mirëkuptim të rrethanave, braziliani nuk pati dhe pretendimet që kishte në fillim kur arriti akordin me shefin e klubit. Da Silva u mjaftua me një vendstrehim në Përrenjas dhe me ushqim. Për pagën mujore braziliani nuk pati kundërshti që s’e mori.

Me ironi dhe me shaka, lojtarët ironizonin me brazilianin se kishin gjetur lojtarin më të lirë, që jetonte vetëm me byrekë, ushqim që braziliani e preferonte më së shumti. “Nëse ka byrekë për Da Silvën çdo gjë është OK”, tregonin lojtarët përrenjsakë.