UEFA vazhdon të prezantojë skuadrat dhe lojtarët pjesëmarrës në fazën finale të Euro 2016.
Në faqen zyrtare të konfederatës europiane të futbollit, një artikull i veçantë i është kushtuar kapitenit kuqezi, me titullin: Yjet e Euro 2016, Lorik Cana i Shqipërisë. Analiza i dedikohet plotësisht mbrojtësit 32-vjeçar, që cilësohet absolutisht lojtari më i rëndësishëm i Kombëtares, për kontributin në fushë, por edhe si lider në dhomat e zhveshjes. Cana vlerësohet si një lojtar që udhëheq skuadrën, një figurë që jep garanci për ekipin, por edhe një mbrojtës potent që di të jetë i frikshëm për rivalët.
UEFA thekson se kuqeziu i lindur në Prishtinë është në rrugën për t’u bërë lojtari i parë në historinë e Kombëtares që mund të arrijë kuotën e 100 ndeshjeve me përfaqësuesen, ndërsa kujton karrierën e Lorikut, që ka luajtur në ligat më të forta kontinentale, nga Anglia e Italia, për të vijuar me Turqinë dhe Francën, ku numëron mbi 200 ndeshje dhe aktualisht mbron ngjyrat e Nantes. Cana është një pikë referimi në skuadrën e Gianni De Biasit dhe së bashku me portierin Etirit Berisha e mesfushorin Taulant Xhaka, janë të vetmit që kanë luajtur në të teta ndeshjet kualifikuese të Shqipërisë.
Me Kombëtaren që në qershor do të debutojë në Euro 2016 në Francë, eksperienca e Lorik Canës konsiderohet një ndihmë e madhe për ekipin, ndërsa rivalët nga Franca, Zvicra dhe Rumania e kanë të qartë se çfarë i pret përballë “luftëtarit” kuqezi.