Fitorja ndaj Partizanit ka rikthyer buzëqeshjen tek trajneri i Teutës, Gugash Magani. Nëse Partizani humbi, meritat janë padyshim të Teutës që vinte pas tre disfatash radhazi, por gjeti forcën për të reaguar pikërisht përballë një prej skuadrave më të forta, Partizanit. Nuk është koincidencë që për Maganin, çelësi i suksesit është qetësia, ajo që mungon te Partizani.
“Në punën e trajnerit vështirësia është në momente krize. Kur ecin mirë gjërat, të gjithë janë në rregull. Na jep qetësi mënyra e menaxhimit të ekipit, pasi edhe presidenti në çdo moment ka pasur kritika të buta ndaj nesh. Tani duhet të kemi motivim dhe të japim më të mirën në fushën e blertë më vonë. Një ndeshje mund të jetë surprizë apo fat, por pikët merren në fushën e lojës dhe tani jemi më të qetë dhe e mbyllim në vendin e tretë. Patëm raste dhe fituam, por edhe ata na vendosën në vështirësi dhe gjatë të gjithë kohës ishin me 4 sulmues. Duhet të kemi besim. ”
Në fund edhe një premtim publik nga Magani për tifozët dhe mbi të gjitha skuadrën e Teutës. Tekniku peqinas pranoi ekzistencën e një oferte nga Flamurtari, por garantoi se do të qëndrojë në Durrës për të vazhduar punë e nisur me këtë skuadër.