Kualifikimi i përfaqësueses kuqezi në finalet e Euro 2016 nuk e ka shndërruar në hero vetëm në Shqipëri. Për arritjen e jashtëzakonshme, Gianni De Biasi vazhdon të vlerësohet edhe në Itali.
Pas sondazhit të “Gazzetta Dello Sport”, ku u përfshi mes dhjetë finalistëve për çmimin “Trajneri i Vitit”, emri i drejtuesit të stolit të Kombëtares figuron edhe në një tjetër sondazh. Këtë herë është “Sport Mediaset’, ajo që seleksionoi dhjetë protagonistët e sportit italian në vitin kalendarik 2015.
Në raundin e parë të sondazhit, De Biasi rivalizohet nga Fabio Aru, fituesi i “Vueltas” së Spanjës dhe i dyti në Xhiron e Italisë, e cila u fitua nga Contador.
Balotezhe të tjerë të sondazhit janë ai ndërmjet Juventusit që fitoi titullin e katërt radhazi në Serinë A përballë notares Tania Cagnotto, fituese e tre medaljeve të arta në Europian, tre në Botërorin e Kazanit dhe një ar historik në trampolinën në lartësinë një metër.
Sondazhi do të zhvillohet me një formulë krejt të veçantë. Dhjetë protagonistët e sportit italian, ku përfshihen trajnerë, sportistë por edhe klube sportive, sfidojnë njëri-tjetrin të ndarë në pesë çifte.
Votimi zhvillohet nga 23 deri më 27 dhjetor dhe për secilin duel, në sondazh është lënë në dispozicion vetëm një datë e veçantë. Në rastin konkret, lexuesit e “Sport Mediaset” do të mund të votojnë për sfidën ndërmjet De Biasit dhe Aru më 24 dhjetor. Pas përzgjedhjes së 5 fituesve, sondazhi do të vazhdojë deri më datë 30 dhjetor, për të përcaktuar atë që sipas publikut ka qenë arritja më e madhe për vitin 2015.