Interi vazhdon të kryesojë Serinë A, por humbja me Lazion duket se ka krijuar një krisje të madhe brenda grupit zikaltër. Situata ka filluar të nxehet kur Roberto Mancini, gjatë mbledhjes së zakonshme para ndeshjes, ka lajmëruar formacionin titullar.

Pas katër ndeshjesh radhazi si titullar, Adem Ljajic e ka parë veten në stol dhe duket se nuk e ka marrë aspak mirë lajmin. Aq sa ka refuzuar të ndërrohet pasi skuadra ka mbërritur në dhomat e zhveshjes. Mancini e ka vënë re dhe e ka kritikuar ashpër. Serbi është bindur, ka hequr kostumin dhe ka veshur tutat dhe i është bashkuar shokëve të ekipit që po zhvillonin nxehjen në fushë. Por trajneri ka parë se lojtarët nuk ishin të përqendruar. “Sot do të mundemi, kjo atmosferë nuk më pëlqen”, duke se i ka thënë ai njerëzve afër tij.  

Pak momente para fillimit të sfidës ka provuar të zgjojë lojtarët, por pa rezultat. Kjo është dukur qartë, pavarësisht zgjedhjeve të gabuara në formacion, edhe gjatë ndeshjes. Lojtarët dukej sikur nuk kishin asnjë ide.

Pas 45 minutave të para tekniku ka shpërthyer, nëse do të kishte pasur mundësi do të kishte bërë pesë zëvendësime. Në fillim i ka thënë Joveticit se nuk do të luante në pjesën e dytë, më pas është futur në dhomën e tij. Pas tri minutash është kthyer te dhomat e zhveshjes së skuadrës dhe i ka thënë “Jo-Jo”-së, i cili po hiqte uniformën për t’u futur në dush, se do të luante edhe në pjesën e dytë. Nuk është e qartë arsyeja pse trajneri ka ndërruar ide.

“Kthehuni në fushë dhe luani me karakter”, ka qenë në thelb mesazhi. Por në minutën e 58-të ndeshja e Jovetic ka përfunduar me të vërtetë. Në vendin e tij është aktivizuar Ljajic, njëkohësisht më Brozovic, që ka marrë vendin e Biabiany. Interi ka barazuar, por në fund Melo ka bërë “harakiri”. Ndërhyrje e pakuptimtë ndaj Milinkovic-Savic që ka sjellë penalltinë për Lazion, ndërsa kapiteni Icardi e ka kritikuar publikisht para rifillimit të lojës. Pjesa e tretë ka filluar pas vërshëllimës së trefishtë të arbitrit. Në dhomat e zhveshjes atmosfera nuk ka qenë aspak e mirë. Normale pas një humbjeje, por këtë herë disa pakënaqësi, që deri në atë moment kishin mbetur të fshehura, kanë dalë në sipërfaqe.

Stevan Jovetic nuk është përmbajtur dhe është shfryrë ndaj trajnerit për zëvendësimin. Mancini është kundërpërgjigjur duke i thënë lojtarit se duhet të mendojë vetëm për të luajtur dhe t’i lërë fjalët. Stevan ka reaguar dhe atmosfera brenda dhomave të zhveshjes është bërë akoma më e nderë. Dhe duket se ka qenë ndërhyrja e Adem Ljajic dhe Fredy Guarin që ka shmangur përplasjen fizike mes lojtarit dhe trajnerit. Ndërkohë, në përfundim të takimi është verifikuar edhe një fërkim mes Felipe Melos dhe Icardit, me brazilianin që ka qenë i pakënaqur nga reagimi i kapitenit në fushën e lojës pas penalltisë së fituar nga Lazio.

Këto ditë pushimi kanë ardhur në momentin e duhur dhe do të shërbejnë për të ftohur gjakrat. Mbas një jave zikaltrit do të nisen për një turne në Doha në të njëjtin avion, të gjithë bashkë. Pa harruar se pavarësisht paraqitjes së keqe dhe humbjes me Lazion, Interi është akoma në vendin e parë në renditje (vetëm 3 humbje) dhe ka mbrojtjen më të mirë.