Albi Dosti do t’i bashkohet ish-skuadrës, por vetëm për stërvitje. Lojtari në fjalë është pjesë e ekipit bullgar të Montanas, por duke qenë se kampionati është në pauzë, ai nuk do të humbasë formën.
“Jam rikthyer në Shqipëri pasi kampionati bullgar ka një shkëputje të gjatë, deri në shkurt. Aktualisht, ekipi ku unë luaj nuk është në pozita komode, por shpresojmë që do të ketë ndërhyrje. Kam folur me drejtuesit e Teutës dhe mund të përgatitem me ish-ekipin tim”, shpjegoi Dosti.
I pyetur nëse mund të ketë një rikthim në Superiore, ai shprehet se nuk e mendon këtë gjë. “Aktualisht, jam pjesë e ekipit të Montanas dhe ndihem mirë me skuadrën dhe drejtuesit, për momentin nuk e mendoj rikthimin në Shqipëri”, përfundoi Dosti.