Katër javë pa fitore janë shumë dhe për këtë motiv Teuta ka vijuar përgatitjet me një analizë të detajuar. Barazimi me Tiranës dhe humbjet radhazi me Bylisin, Skënderbeun dhe Laçin nuk janë “kapërdirë” nga stafi teknik. Kreu i pankinës durrsake kërkon që të mobilizojë ekipin në prag të Partizanit. Gugash Magani i ka mbledhur rreth vetes të tijtë dhe u ka kërkuar kthesën e menjëhershme në kryeqytet.
Trajneri peqinas pret prej lojtarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të zbatojnë me përpikmëri detyrimet që u jepen. Ai është i pakënaqur nga mënyra se si lojtarët e kanë zhvilluar sidomos ndeshjen e fundit, atë kundër kurbinasve. Nga ajo që u pa trajneri dhe ndihmesat e tij ishin më shumë të shqetësuar për shthurjen e ekipit dhe ishte pikërisht kjo që iu kërkua lojtarëve: mobilizim në javën e fundit të vitit 2015. “Pres më shumë kujdes prej jush. Duhet të zbatoni udhëzimet tona. Katër javë pa fitore janë shumë, ndaj pres mobilizim për Partizanin”, mësohet t’u ketë thënë ndër të tjera tekniku futbollistëve. Fill pas analizës, ekipi nisi stërvitjen dhe u pa që stafi teknik ishte tejet kërkues, duke kryer një seancë të ngarkuar. Grupit dje i është bashkuar Hodo, por sipas mjekëve ai e ka mbyllur këtë fazë para kohe. Lojtari nuk mund të jetë plotësisht gati për të mërkurën, ndaj mund të quhet një mungesë e sigurt kundër të kuqve. Priten rikthime te Teuta.