Laçi kthehet te fitorja pas dy javësh, duke mposhtur 1-0 Teutën, në sfidën që hapi javën e 17-të të Kategorisë Superiore. Edhe pse durrsakët e Maganit ishin ekip pritës, ndeshja u luajt në fushën e Laçit, si një mënyrë për ti kthyer favorin kurbinasve, që përballjen e fazës së parë të kampionatit më 25 Tetor edhe pse ishin ekip pritës e luajtën në Niko Dovana, pasi fusha e re ende nuk ishte gati për lojë.
Sfida u vendos nga goli i James Adeniyi. Kur kronometri tregonte 7 minuta lojë, sulmuesi fitoi 11-metërsh, pas ndërhyrjes së gabuar të Mihanit, që nuk la dyshime për gjyqtarin Beqiri. Nigeriani mori përsipër ekzekutimin nga pika e bardhë, duke mposhtur vetëm pas tentativës së dytë portierin Moçka, që grushtoi goditjen e parë, por nuk u mbështet nga mbrojtja.
Me sigurinë e marrë nga avantazhi, kurbinasit u hodhën në kërkim të golit të dytë, për të hipotekuar sfidën. Buljan ishte pranë golit, megjithatë kroati gaboi gjithçka në finalizim . Pas tij provuan edhe Mitraj, që u frenua nga Moçka dhe James, goditja e të cilit u devijua nga një mbrojtjës.
Pjesa e parë mbyllet me pak momente për tu shënuar, ku te Laçi Mustafa u largua nga fusha me barelë pas dëmtimit, duke i lënë vendin Metos ndërsa Teuta provoi të gjente golin me goditjen nga distanca të Mustës, që përfundoi pak centimetra jashtë portës.
Fraksioni i dytë i lojës nis me pak emocione dhe me një ndërprerje të shkurtër të lojës, pas hedhjes së fishekzjarrëve nga tifozët kurbinas. Ndërkohë, në fushë Laçi u shfaq më i qartë në lojë, duke krijuar edhe të tjera mundësi për shënim. Tentativa e Mitrajt u neutralizua sërish nga portieri Moçka ndërsa në të 62-ën, Buljan kishte mundësinë më të mirë për të mbyllur sfidën. Por, edhe pse ndodhej mbi vijën e portës kundërshtare, mbrojtësi kroati gaboi në mënyrë të pabesueshme.
Me Teutën që nuk kishte forcën e duhur goditëse , Magani hodhi në fushë sulmuesin Hyseni, duke larguar një mbrojtës ndërsa Cungu iu përgjigj duke përforcuar repartin difensiv me Çelën. Kalimi me dy sulmues i dha impuls të ri lojës së Teutës, me Hysenin që pas pak sekondave aktivizim u shfaq menjëherë i rrezikshëm, por Vujadinoviç i mohoi golin. Portieri i Laçit ishte më fat në vazhdim të aksionit nga goditje këndi, me durrsakët që kishin probleme me shënjestrën. Në minutat e fundit, duke shfrytëzuar edhe hapësirat e mbrojtjes kundërshtare, Laçi provoi të realizonte edhe golin e dytë me Bardhin dhe Meton , por pa sukses.
Laçi kthehet te fitorja dhe ngjitet në kuotën e 22 pikëve, vetëm 2 më pak se Tirana e vendit të pestë. Në anën tjetër, Teuta vijon të vuajë formën e dobët të javëve të fundit, duke regjistruar humbjen e tretë radhazi, e cila bën që në këtë fund të fazës së dytë të sezonit, të kopromentohet gara për kupat e Europës.