Roma po kalon një nga momentet më të errëta të erës Garcia dhe kjo reflektohet në rezultatet e skuadrës verdhekuqe gjatë këtij sezoni. Eliminimi nga Kupa e Italisë ishte pika që mbushi gotën e pakënaqësive në “Trigoria” ku tifozët kanë forcuar radhët për të kundërshtuar skuadrën dhe drejtuesit e klubit për politikat që kanë ndjekur në merkato. Mbështetësit më të flaktë të skuadrës fillimisht braktisën stadiumin “Olimpico” për ndeshjen kundër Spezias, por dështimi në misionin për të siguruar çerekfinalen ka ndezur gjakrat në kampin roman.
Në dalje të restorantit ku u organizua mbrëmja e Krishtlindjeve, tifozët sulmuan autobusin e skuadrës me vezë. Gjithsesi, ujërat në klubin italian duket se po lëvizin ngadalë pasi presidenca nuk ka marrë ende asnjë vendim për të ardhmen e trajnerit Garcia, i cili mbetet njeriu më i shënjestruar. Drejtori sportiv, Walter Sabatini nuk ka bërë asnjë deklaratë gjatë orëve të fundit, ndërsa skuadra është grumbulluar në qendrën stërvitore të Trigorias deri në ditën e ndeshjes kundër Genoas që me shumë mundësi do të jetë testi final për trajnerin francez e ardhmja e të cilit në Romë është e varur në fije të perit.