E ardhmja e Shkëlzen Gashit te Baseli është vënë në pikëpyetje serioze gjatë pjesës së parë të sezonit, pasi 27-vjeçari nuk është preferuar si zgjedhje e parë e sulmit nga trajneri Urs Fischer. Gjatë merkatos së janarit, futbollisti i kombëtares kuqezi do të jetë i hapur për çdo ofertë që do të vijë për kartonin e tij, pasi dëshiron të luajë rregullisht për të qenë në formë optimale për finalet e “Euro 2016″.

Mediat italiane, me konkretisht “tutto mercato web”, një faqe e specializuar mbi informacionet rreth lëvizjeve të futbollistëve, zbulon që për shërbimet e Gashit po interesohet Verona e Serisa A, që drejtohet nga Giggi Del Neri. Trajneri italian është i pakënaqur nga forma e Pazzinit ndaj synon një sulmues me peshë për ta rreshtuar përkrah Luka Tonit. Emri i Shkëlzen Gashit është i pari që i është sugjeruar Del Nerit nga njerëzit që po studiojnë merkaton e Veronës, por ende nuk ka një ofertë zyrtare nga klubi italian.

Gjatë sezonit të kaluar Gashi ishte sulmuesi më produktiv i Baselit me 22 gola në 31 ndeshje të kampionatit, ndërsa gjatë sezonit aktual ka luajtur në vetëm 5 ndeshje, duke shënuar dy gola. Marrëdhëniet e tensionuara me trajnerin Fisher i kanë hapur rrugë largimit të tij nga Baseli që në muajin janar.