Delegacioni shqiptar është në Francë për shortin e Euro 2016, që do të hidhet në Pallatin e Kongreseve në Paris. Gjashtë funksionarë të lartë të Federatës Shqiptare të Futbollit, të cilëve u shtohet edhe trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, do të jenë të pranishëm në momentin kur do të mësohen emrat e rivalëve të Shqipërisë në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Delegacioni kryesohet nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili shoqërohet nga Sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zv.sekretari Çela dhe menaxheri i ekipit përfaqësues, Alban Bushi. Në Paris ata do të bashkohen me Drejtorin e Marrëdhënieve me Jashtë, Denis Bastari dhe Drejtorin e Marrëdhënieve me Publikun, Xhankarlo Padovan, të cilët kanë marrë pjesë edhe në seminarin e organizuar nga UEFA.

Për faqen zyrtare të FSHF-së, presidenti Duka është shprehur se të shtunën “me njohjen e rivalëve në Euro 2016, Shqipëria do të hyjë zyrtarisht në fazën finale të turneut”. Përsa i takon faktit se cilët kundërshtarë shpreson të evitojë apo skuadrat që mund të jenë më të lehtat për t’u përballur, zoti Duka tha se “nuk bëhet fjalë për preferenca, pasi të gjitha skuadrat finaliste janë të forta dhe e kanë merituar të jenë në Euro 2016″. Përpara shortit në Paris, drejtuesi më i lartë i futbollit shqiptar theksoi edhe një herë deklaratat se Kombëtarja shqiptare nuk do të shkojë për pushime në Francë, por do të provojë të zhvillojë Europianin e saj.