8 dhjetor 2015 – Atletika është sporti që ka patur më shumë raste dopingu gjatë vitit 2015, sipas të dhënave të mbledhura nga 1 janari deri më 17 nëntor të këtij viti dhe të bëra publike nga MPCC (shoqata për lëvizje të pastër në çiklizëm).
Sporti i “mbretëreshës” është përfshirë prej kohësh nga një skandal dopingu dhe kjo pasqyrohet në tabelën e rasteve pozitive të të gjitha sporteve. Plot 49 raste pozitiviteti në sportin e atletikës, ndërkohë që Rusia është shteti me më shumë sportistë pozitive, 30 të tillë e natyrisht që shumica vijnë nga atletika. Në vendin e dytë renditet sporti i peshëngritjes, me 34 raste pozitiviteti gjatë vitit 2015 (pa përfshirë Botërorin e Hjustonit), ndërsa në vendin e tretë renditet bejzbolli me 29 raste.
Në “top-5” sportet që kanë nxjerrë më shumë raste pozitiviteti edhe futbolli, me 18 raste dhe çiklizmi me 17 raste. Më pas vijnë regbija, noti, boksi etj., duke konfirmuar se dopingu në sportet kryesore është ende shumë i përdorur. Pas Rusisë, me 30 sportistë, renditen Britania e Madhe dhe Amerika me nga 18 raste dhe më pas Bullgaria me 12 raste.
Për fat të keq, ajo që bie në sy në këtë studim është se numri i rasteve të pozitivitetit është rritur ndjeshëm krahasuar me vitin 2014 edhe pse kontrollet janë shtuar. Shqipëria ka vetëm një rast dopingu gjatë këtij viti (1 janar-17 nëntor), në sportin e boksit. Në Lojërat Olimpike Europiane “Baku 2015” rezultoi pozitiv boksieri vlonjat Rexhildo Zeneli. Pas një testi antidoping në urinë ai doli pozitiv me “furosemide”, pasi kishte përdorur një shkarkues për të rënë në peshë. Zeneli është pezulluar 2 vjet nga garat.
/portali DurresLajm/