4 dhjetor 2015 – Tashmë pritet nga të gjithë, që kur fjalën në Kuvend e merr deputeti Ben Blushi, qeveria në të cilën ai bën pjesë, do të kritikohet ashpër nga vetë Blushi.
Gjatë seancës së sotme, deputeti socialist ka ironizuar nismën e qeverisë “Të pastrojmë më tej Shqipërinë” dhe ka përdorur tone ashpra ndaj qeverisjes së dy viteve të fundit. Ai ka theksuar se, ndryshe nga sa pretendon, qeveria ua ka bërë edhe më të vështirë jetën shtresave të varfra, të cilat kanë zgjedhur të emigrojnë.
“Për mënyrën se si duhet të pastrohet Shqipëria edhe unë kam mendimin tim dhe do ta them. Në dy vjet qeverisje ne kemi arritur ta pastrojmë Shqipërinë nga të varfrit. Po ua bëjmë jetën më të vështirë se ç’e kishin dhe se ç’e kishin menduar. A e ka më të lehtë jetën sot një i varfër? A e ka më të lirë ai koston e shëndetësisë dhe arsimit? A është kostoja e menaxhimit social për shtetin më e lirë? Në përgjithësi, gjendja e të varfërve po bëhet më e vështirë. Shumica jonë i ka tradhtuar të varfrit. Kjo qeveri, më vjen keq kur e them, ka një problem shtesë: i shton koston të varfrit”, tha Blushi.
Sipas tij, një qeveri që nuk vjen nga një nivel modest e ka të vështirë të përfaqësojë ata që janë në pozitë të vështirë dhe drejtimi i duhur sipas tij është ende larg.
“Unë jam nga ata që mendojnë se Shqipëria nuk po shkon në drejtimin e duhur, sepse shqiptarët po largohen. Nuk janë paratë që i mungojnë kësaj qeverie, asaj i mungojnë idetë dhe modestia që kanë më shumë vlerë se paraja. Shumica jonë nuk e njeh varfërinë e Shqipërisë. Qeveria nuk e njeh se çfarë është varfëria.”
“E kam të vështirë të vërtetoj se situata ka ndryshuar. Kapitalizmi deri në vitin 2013 ishte kapitalizëm zoologjik, ku kafsha më e fortë fitonte më shumë. Bariu i fuste kafshët në konkurrencë dhe më i forti merrte pjesën më të madhe. Por puna është se çfarë kemi sot? A është ky kapitalizëm më pak represiv, më modern? Jo, nuk është. Kapitalizmi i sotëm është blegtoral. Një i diplomuar që fiton mbi 1 milionë lekë taksohet 23 për qind, ndërsa ai që fiton 1 milionë euro taksohet 15 për qind. Kjo nuk është taksë progresive”, theksoi Blushi.
Ai u është përgjigjur edhe atyre që përmendin si zgjidhje zgjedhjet e parakohshme. “Vërtet mendoni se ky këtu mbrapa (Rama) që ka frikë të bëjë zgjedhje në parti ka kurajë të shkojë në zgjedhje të parakohshme? Jo, nuk ka”, shtoi Blushi.
/portali DurresLajm/