4 dhjetor 2015 – Federata Maqedonase e Futbollit duket se ka në plan ta vërë në jetë idenë e saj që ndeshjen me Shqipërinë ta zhvillojë në Strumicë, dhe jo në stadiumin “Filipi i Dytë” në Shkup, pasi mesa duket, ata i tremben pranisë së shumtë të shqiptarëve në stadium. Strumica është qyteti lindor më i largët i Maqedonisë në lidhje me Shqipërinë, e normalisht kjo do të ndikojë në numrin e shqiptarëve të pranishëm në mbështetje të Kuqezinjve.

Federata maqedonase ka menduar edhe për këtë e po angazhohet seriozisht që stadiumi “Mlladost” të marrë një pamje të re e të plotësojë kushtet për t'u luajtur një ndeshje e Kualifikueseve të Botërorit, ndërsa kapaciteti i stadiumit pritet të jetë 15 mijë vende, shkruan Besnik Shabani.

Federata së bashku me klubin Bellasica dhe Komunën e Strumicës kanë bërë një projekt të përbashkët për rikonstruksionin e tij, e nëse realizohet në kohë atëherë planet e maqedonasve për ta larguar sa më larg ndeshjen me Shqipërinë do të realizoheshin me sukses. Prania e shumtë e shqiptarëve në përballjen me ta i tremb maqedonasit, ndërsa nëse do të luhet në Strumicë atëherë vetëm 750 bileta do të kishin të drejtë të merrnin mbështetësit e kombëtares Shqiptare.

/portali DurresLajm/