3 dhjetor 2015 – Real Madrid pritet të eliminohet nga Kupa e Mbretit pasi Rafa Benitez ka aktivizuar futbollistin Denis Cheryshev në sfidën me Cardiz i cili nuk kishte të drejtë loje për shkak të pezullimit të kartonëve. Sulmuesi i ri rus kishte marrë tre kartonë të verdhë me Villarealin, skuadër ku ishte i huazuar sezonin e kaluar, dhe ishte pezulluar me një ndeshje mos lojë, por që duhej ta shlyente këtë sezon.
Nëse ndiqet precedenti i muajit shtator, atëherë eliminimi i Realit mund të quhet i mbyllur, pasi edhe Osasuna u eliminua për të njëjtat arsye. Këta të fundit aktivizuan Unai Garcian i cili ishte i pezulluar dhe Federata Spanjolle menjëherë reagoi duke i larguar nga gara. Cheryshev bëri një ndeshje të mirë, duke shënuar edhe golin e parë për Realin, por Benitez menjëherë e zëvendësoi sapo kuptoi që bërë një gafë të pafalshme.
Presidenti i Cardiz, Manuel Vizcaino konfirmoi se klubi zyrtarisht do të paraqesë ankesën për këtë incident gjë që pritet të rezultojë me një lajm pozitiv për tifozët e skuadrës anduliziane. “Klubi nuk dinte asgjë, njëjtë edhe Cheryshev, Villarreal nuk na kishte informuar dhe për këtë shkak askush nuk dinte asgjë. Ne e kuptuam në pjesën e parë dhe e zëvendësuam si shenjë e vullnetit të mirë. Ne bëmë një ndeshje të madhe në rrethana të vështira. Fituam dhe jam shumë i kënaqur me angazhimin e lojtarëve”, u shpreh Benitez pas ndeshjes.
Ndërkohë, edhe Emilio Butragueno, ish-sulmuesi madrilen aktualisht drejtor i skuadrës për marrëdhënie me skuadra të tjera, ka akuzuar Villarealin për sjellje jo korrekte dhe mos informim. Sidoqoftë, kjo nuk është hera e parë që Rafa Benitez bën një gafë të tillë, pasi edhe në vitin 2001 eliminoi Valencian, skuadër të cilën e drejtonte në atë kohë, pasi në formacion kishte më shumë lojtarë se që duhet me shtetësi jo europiane. Ndërkohë, tifozët e Cadiz sapo kanë parë se çfarë po ngjet, kanë filluar të bërtasin “Kontrollo Twitterin Benitez” si dhe “Të dua, Cheryshev”. Po ashtu, Gerard Pique postoi në Twitter disa emoji “duke qeshur me lot”. Ironia është se Cheryshev ishte ndëshkuar me kartonin e tretë pas një ndërhyrje në Luis Suarez, sulmuesin e Barcelonës, në ndeshjen e fundit për Villareal në Kupën e Mbretit.
/portali DurresLajm/