3 dhjetor 2015 – FIFA sërish në qendër të ciklonit të skandaleve. Policia zvicerane, me urdhër të gjykatësve nga SHBA-ja, ka kryer mbi 10 arrestime të zyrtarëve të lartë të organizimit botëror të futbollit në orën 6 të mëngjesit të së enjtes në një hotel të Zyrihut, “Baur ai Lac”. Siç bën të ditur “New York Times” agjentët e policisë kanë hyrë në hotelin luksoz nga një hyrje dytësore për të arrestuar mbi 10 funksionarë të lartë të FIFA-s, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në organizatë kriminale, pastrim parash dhe mashtrim. Akuzat e reja shkruan “New York Times”, godasin veçanërisht kryetarët e Federatave të Amerikës Jugore dhe asaj Qendrore.

Mes të ndaluarve, emrat e të cilëve për momentin nuk u bënë të ditur, nuk rezulton Sepp Blatter, lajm ky që është konfirmuar tashmë nga funksionarët e policisë. Disa arrestime janë kryer në të njëjtin hotel luksi ku të tjerë zyrtarë të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Futbollit u arrestuan më herët në muajin maj. Në 6 të mëngjesit me orën lokale, policia zvicerane hyri në befasi dhe drejtori i hotelit iu kërkoi zyrtarëve të FIFA-s që të largoheshin nga hoteli për shkak të një situate ekstreme. Personat e arrestuar tani duhet të përgjigjen për krijim organizate kriminale, pastrim parash dhe mashtrim, ndërsa priten të reja informacione.

/portali DurresLajm/