2 dhjetor 2015 – Mbrojtësi i kombëtares shqiptare të futbollit, Andi Lila, në një bisedë për portalin “Sporti 1” në Kosovë ka treguar se e ardhmja e tij nuk është në futbollin grek. Kavajasi i PAS Janinës është njëri ndër lojtarët më të përfolur shqiptarë në mëse 12 muajt e fundit, që për mbrojtjen e flamurit në Beograd, kalimin te Parma në Seria A e deri te festimet me “shqiponjë” të golave, edhe në Greqi, me ekipin e Janinës.
Ai ka treguar se në janar do të largohet përfundimisht nga futbolli grek. “Arsyet janë të shumta, ka sfida më të rëndësishme, por edhe fakti se thuajse në secilin stadium ku luaj jam në qendër të akuzave nga tribunat. Gjërat ndonjëherë kanë qenë të papranueshme dhe fyerjet janë bërë edhe në kor nga tribunat”.
Po, cila është e ardhmja e Lilës? “Nuk mund ta parashikoj saktë, por një gjë është e sigurt, se do të jetë jashtë futbollit të Greqisë”, – u përgjigj ai.
Lila, me festimet e fundit të golave me “shqiponjë” e ka kthyer sërish kundër tij opinionin grek, ndërsa pohon buzagaz se në klub i thonë diçka më ndryshe. “Më thonë ti duhet të jesh nga Kosova, nuk ka mundësi të jesh nga Shqipëria”, – shtoi ai.
Kujtojmë se Andi Lila u kthye të luajë pas dëmtimit, që e detyroi të qëndronte dy javë jashtë fushave të blerta. PAS Janina fitoi me mbrojtësin kuqezi, që mbajti edhe shiritin e kapitenit, në fushën e Acharnaikos.
Kavajasi u dëmtua në miqësoren e fundit të kombëtares me Gjeorgjinë, më 16 nëntor, në “Qemal Stafa”. Fillimisht u mendua se do të qendronte dy muaj pushim, por u kthye në kohë rekord, falë edhe terapisë speciale nga Marijana, specialistja serbe e kurimit të dëmtimeve të sportistëve me placentën e kalit.
/portali DurresLajm/