2 dhjetor 2015 – Qeveria shqiptare ka vendosur që t’u falë kamatëvonesat për faturat e energjisë elektrike familjeve në nevojë.
Rreth 22 mijë familjeve që kanë respektuar akt-marrëveshjen e posaçme me OSHEE për të shlyer me këste detyrimet e prapambetura të energjisë elektrike, do t’u fshihet e gjithë barra e kamatëvonesës nga sistemi me pagimin në sportelet e OSHEE të një shume prej 100 lekësh të vjetra. Këtë lajm të mirë, e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë një konference për shtyp.
“Lajm i mirë për familjet në nevojë. Janë 25 mijë persona me status e përfituesit të ndihmës ekonomike të cilët mes aktmarrëveshjeve të posaçme kanë nisur shlyerjen e detyrimeve të prapambetura me këste mujorë të ulëta. 22 mijë familje prej tyre i kanë respektuar me korrektesë kushtet e marrëveshjes dhe kanë paguar bashkë me faturën mujore, edhe vlerën e këstit mujor. I falënderoj përzemërsisht dhe vlerësoj shembullin e tyre dinjitoz për respektimin e ligjit. Këtyre konsumatorëve, barra e kamatëvonesave do t’u hiqet përfundimit përkundrejt një pagesë njëherë të vetme prej 100 lekësh të vjetra. Duhet të paraqiten në sportelet e OSHE, të paguajnë 100 lekë të vjetra, dhe të plotësojnë kontratën reale, me kushte normale”, deklaroi Rama.
/portali DurresLajm/