2 dhjetor 2015 – “Ndërmarrja e ujësjellësit do t’i nënshtrohet një reforme të thellë, me shkurtimin e fuqisë punëtore, dhe deri tek arkëtimet. Deri tani, qeveria i ka mbuluar shpenzimet e energjisë elektrike. Qeveria nuk jep më asnjë lekë për energjinë. Kostoja e ujit të pijshëm që vjen në Durrës, është shumë e madhe, në raport me çmimin që faturohet. Në të tilla kushte, ndërmarrja është e falimentuar. Të shpëtojmë ndërmarrjen nga falimentimi, e vetmja mundësi është rritja e çmimit të ujit”, ky është argumenti që përdor kreu i bashkisë Vangjush Dako, për propozimin e bërë nga bashkia e Durrësit, për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 20% në Durrës për vitin 2016.

Debatet e ashpra për këtë çështje u bënë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit, i cili operoi me dy standarde. Propozimin e LSI-së për shtyrjen e projektvendimit për mbledhjen e radhës, Këshilli  e hodhi në votë, dhe bashkimi i votave të PD-së e LSI-së, solli që PS të dilte në minorancë.

Treguesit financiarë të dy viteve të fundit, pasqyrojnë rritje të të ardhurave të kësaj ndërmarrjeje, dhe një performancë shumë të lartë në mbledhjen e tyre, me rreth 1.5 miliardë lekë më shumë.

Anëtari i PD-së, Armand Teliti, i rikujtoi kryeministrit Rama, premtimin për uljen e TVSH-së në 6% për energjinë elektrike. “Nëse nuk e uli për qytetarët, ta ulte për ujësjellësit, që qytetarët të mos preken nga rritja e çmimit të energjisë së ujit. Kjo është pashpirtësi, t;u rrisësh faturat qytetarëve”, tha Teliti. 

/K.H. portali DurresLajm/