1 dhjetor 2015 – Sot, Durrësi është kthyer në një nyje të rrezikshme kriminale të mafies ballkanike dhe asaj Europiane, me Vangjush Dakon dhe me Edi Ramën, kështu ka deklaruar nga Durrësi, kreu i opozitës Lulzim Basha, që ka marrë pjesë në zgjedhjet e Forumit të PD-së në Durrës. Basha akuzoi qeverisjen vendore dhe atë qendrore për bashkëpunim me krimin.
“Krimi po dikton se cili vendim merret, krimi sot nuk ka frikë të marrë peng Vangjush Dakon. Dako u mor peng dhe ka grisur një vendim të mëparshëm korruptiv për të firmosur një tjetër vendim korruptiv. Sot, bandat vendosin se ku ka për të marrë e për të zhvatur, me mbështetjen e pushtetit vendor e qendror.”
Basha u ndal te premtimet e dhëna në qershorin e 2013-s, duke i pyetur shefin e ekzekutivit se cilin prej premtimeve ka mbajtur.
“Ku janë 300 mijë vende të reja pune, shëndetësia falas, po 6 muaj legalizimet? Megaskandalet po pëlcasin ditë për ditë, janë harruar premtimet. Ka 73 mijë më shumë të papunë, spitalet janë faqe e zezë, dhe ministri Ilir Beqaj,po vjedh të gjitha fondet e shëndetësisë”, ka thënë shefi i opozitës.
Basha tha se ekonomia e vendit është në pikiatë, dhe përgjegjës bën Ramën dhe Metën. “Veprat e tyre janë vetëm rrënimi i ekonomisë, vjedhja e zhvatja e pasurisë kombëtare. Pse rriten çmimet, pse rriten taksat? Paratë po vidhen e nuk përfundojnë në llogarinë e shtetit. Në fund të nëntorit, 360 milionë dollarë është shuma e doganave e tatimeve që mungon në arkat e shtetit, po vjedhin një milion dollarë në ditë. Paratë po vidhen e po përfundojnë në luks vila e në llogari bankare jashtë shtetit. 200 milionë Euro pasuri ka bërë Edi Rama dhe njerëzit as nuk i imagjinojnë dot këto pasuri. Ndaj vendi sot ndodhet në këtë gjendje, sepse paratë i ka vjedhur kuçedra e korrupsionit të Edi Ramës dhe Ilir Metës!
2.7 miliardë lekë ose 27 milionë dollarë, barabartë me pensionet e 326 mijë fshatarëve ose 122 mijë pagave minimale ose 632 mijë pagesave ekonomike, shkon për luks, makina jaguar, zyra etj, tha Basha. Në 8 Dhjetor do të jetë përgjigja e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e demokratëve, por e të gjithë të papunëve, e të mashtruarve etj, për të marrë në dorë fatet tona. Në 8 Dhjetor do të hapim rrugën e bllokuar të Shqipërisë. ”
Kreu i opozitës i dha vëmendje edhe zgjedhjeve të FRPD-së.
“Me votën tuaj do zgjidhni në mënyrë të drejtpërdrejtë kreun e forumit rinor të PD-së. Ky është një hap i vështirë jo vetëm për forumin rinor të PD-s-ë por edhe për simotrat në Europë që aplikojnë një anëtar një votë, traditë kjo në konsolidim e sipër. Unë besoj fort te gjykimi e vota juaj, te përgjegjësia që ka vota juaj. Nuk është askush i pagabueshëm, por vota e lirë është më pak e gabueshme. Këtij procesi po i vjen fundi para se ta mbyllim në Tiranë. Përmes forcimit të strukturave të reja që do të ngrihen me votën tuaj do të jetë stafetmbajtësja e përgjegjësive politike shqiptare.”
/K.H. portali DurresLajm/





