1 dhjetor 2015 – Lionel Messi, Cristiano Ronaldo dhe Neymar. Këta janë tre finalistët e Topit të Artë FIFA 2015, që do të shpallet më 11 janar 2016, në Zyrih të Zvicrës.
Neymar në vend të Manuel Neuer është ndryshimi i vetëm nga viti i kaluar. Messi dhe Ronaldo janë finalistë të përhershëm që nga viti 2011, ndërsa vetë argjentinasi nuk mungon në treshen finaliste që nga viti 2007. Pasi Xavi, Ribery dhe Neuer kanë përfunduar të tretët në votimin final në vitet e fundit, tani është radha e Neymar.
Por braziliani, falë vitit spektakolar të tij, mund të kërcënojë seriozisht dy yjet e futbollit botëror. Neymar ka shënuar 40 gola nga janari i këtij viti, përfshi në finalen e Champions League të fituar ndaj Juventusit me rezultatin 3-1.
Gjithsesi, favoriti për të fituar Topin e Artë mbetet Leo Messi, i cili do e fitonte këtë çmim për herë të pestë në karrierë.
/portali DurresLajm/