30nëntor 2015 – Një profil i ka kushtuar gazeta kosovare Koha.net volejbollistes nga Durrës, Romina Matoshi. Sipas saj, 22-vjeçarja ndihet krenare që me klubin Skënderaj ka shkruar historinë e volejbollit kosovar. Matoshi, që është nga Durrësi, në fillim të tetorit iu bashkua kampionit në fuqi të Kosovës në volejboll, ndërsa më 18 e 24 nëntor me Skënderajn u paraqit në rrethin e dytë të Challenge Cup për volejbolliste.

Skënderaj të dy ndeshjet i humbi me rezultatin 3:0 në sete nga skuadra izraelite Hapoel Kfar Saba, por debutimi në arenën ndërkombëtare i volejbollit kosovar për Matoshin është i suksesshëm. Ajo në dy ndeshjet ishte ndër më të mirat te kampioni kosovar, shkruan sot “Koha Ditore”.  2-vjeçarja e gjatë 182 centimetra luan volejboll luan nëpër klube prej moshës 13-vjeçare. Por për herë të parë luan jashtë Shqipërisë.

Ajo në një bisedë për gazetën ka treguar pse la Shqipërinë për të luajtur për një klub nga një qytet i vogël në Kosovë.

“Në Skënderaj vendosa të luaj për disa arsye. Pikësëpari për faktin se është ekip kampion dhe në Kosovë ka emër të mirë. Arsye tjetër ishte se në Shqipëri ky sezon vazhdoi me kriza, madje kur unë vendosa të luaj në Skënderaj, në Shqipëri ishte në pikëpyetje vetë fillimi i kampionatit”, citohet Romina Matoshi.

/portal DurresLajm/