Migena Xhaferraj është vetëm një nga artistet e reja premtuese, që mori pjesë në edicionin e 12-të të Maratonës Rinore në Durrës. Me një zë potent dhe melodioz. Maratona rinore mund të jetë për Migenën hapi i parë drejt rrugës së vështirë dhe të bukur të artit. Fakti që gjysëmfinalet e Maratonës Rinore zhvillohen pa publik në sallë për shkak të pandemisë ndikon në performancën e të rinjve.

“Ndikon goxha tek emocionet, sepse në momentin që del në skenë kërkon që të transmetosh emocione. Tani është pak e vështirë, sepse emocionet do t’i transmetojmë nëpërmjet një kamere”,- thotë Migena.

Për Marinela Pishën, gjimnaziste e “Leonik Tomeos” që do të realizojë një reportazh mbi Maratonën Rinore, ku marrin pjesë 12 shkolla të mesme të bashkisë Durrës, pandemia është një pengesë për këtë event. Gjithsesi aktiviteti kulturor po zhvillohet dhe është një gjë e mirë, sepse po evidentohen talentet e Durrësit.

“Nuk është njësoj me vitet e tjera, ka vështirësinë e vet. Është mirë që pandemia nuk e ka ndaluar këtë edicion të Maratonës Rinore, sepse fundja ky event ka për qëllim të nxjerrë në pak talentet e Durrësit. Edhe reportazhi im për këtë do të flasë”,- tregon ajo për “DurrësLajm”.

Gjimnazistët thonë se vështirësia më e madhe e përgatitjes për Maratonën kanë qenë kufizimet e pandemisë dhe fakti që jo gjithnjë mund të bënin prova lirisht.

“Ka qenë e vështirë, sepse edhe shkollën e kemi të vështirë ta ndjekim tani online. Por ia arritëm të marrim pjesë dhe shpresoj të kemi dhënë më të mirën tonë”,– thotë Ema nga shkolla jo publike “Ibrahim Kodra”.

“Ka qenë e vështirë në lidhje me provat, por me zyshat që janë profesioniste ia kemi arritur ta realizojmë siç duhet”,– thotë Migena.

Të njëjtin shqetësim ndan edhe organizatori i Maratonës, koreografi Arjan Plaku.

“Kombinimi i të rinjve me oraret e provave, pasi disa prej tyre ishin në turn të parë, ose ishin online disa herë krijonte shpeshherë probleme që koordinimi i punës të ishte në mënyrë të përsosur”,– thotë Plaku.

Pandemia nuk i ndaloi, por çfarë i shtyn gjimnazistët të marrin pjesë në këtë aktivitet? Për adoleshentët e gjimnazit jo publik “Ibrahim Kodra” Ema Beja dhe Lutjan Allka, pjesëmarrja në Maratonën Rinore është e rëndësishme për dy arsye.

“Për shkollën që të dali sa më mirë, t’i ngrejmë emrin, por edhe si një kujtim i bukur nga periudha e gjimnazit”,- thonë ata.

E ndërsa të rinjtë ndjejnë presionin e garës, presionin më të madh e ka koreografi Plaku. Por ajo që duket se e shpërblen shqetësimin e tij që gjithçka të shkojë mirë është fakti se pjesëmarrësit e këtij viti kanë realizuar performanca shumë të mira.

“Unë shikoj që të gjithë nxënësit, të gjitha shkollat pjesëmarrëse në edicionin e këtij viti janë maksimalisht të predispozuar për të paraqitur më të mirën e tyre. Ky vit, në krahasim me të gjithë vitet e tjera, përveç kushteve, i ka të gjitha performancat pjesëmarrëse të kuruara mjaft mirë nga ana artistike”,- thotë ai.  

Pavarësisht se publiku mungon në sallë, ndjekësit e eventit do jenë shumë më të shumtë në numër, pasi gjithçka do të transmetohet në rrjete sociale.

“Publikun këtë vit do ta kemi edhe më të madh në numër, pasi do ta ndjekin online nëpërmjet rrjeteve sociale”,- thotë koreografi Plaku.

Për shkak të pamundësisë së gjimnazistëve, mësuesve dhe prindërve për të ndjekur live fazat finale të “Maratonës Rinore” i gjithë eventi u regjistrua dhe do të shfaqet online në faqen e QKF Durrës dhe “DurrësLajm”. 

M.B.