DURRËS, 18 mars 2013 – Burime zyrtare nga Bashkia e Durrësit dhe Qendra e saj kulturore bëjnë të ditur se në qytetin bregdetar, më 20 mars 2013, në teatrin “Aleksandër Moisiu”, ora 18.00, do të jepet një koncert disi i pazakontë, shfaqje e një grupi folklorik dhe i një orkestre nga Arabia Saudite, veprimtari që përfshihet në Ditët e Kulturës Saudite në Shqipëri, 18 mars-23 mars 2013.
Ndërkohë, njoftohet se më 18 mars 2013 Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi priti një delegacion nga Arabia Saudite të kryesuar nga zëvendësministri i Kulturës dhe Informacionit, Dr. Saleh M. Al-Namiah.
Do të organizohen aktivitetet në disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë si Tiranë, Krujë, Durrës dhe Lezhë.
Mësohet se në delegacion marrin pjesë edhe përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë e Arabisë Saudite, të cilët do të njihen me terrenin shqiptar për të parë nga afër hapësirat e nevojshme për investime në Shqipëri.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/