TIRANË, 16 mars 2013 – Bllokimi i qumështit nga qeveria e Kosovës, është konsideruar në dy raste nga kryeministri Sali Berisha “agresion ndaj disa fabrikave të qumështit” dhe “agresion psikologjik mbi qytetarët”. Deklaratën e bujshme Kryeministri e ka bërë më 15 mars 2013 në një takim me biznesin për Reformën Rregullatore.

Kreu i Ekzekutivit të Tiranës thyen heshtjen për një çështje delikate: “Unë nuk jam prononcuar, por agresioni që u bë ndaj prodhimeve të disa fabrikave të qumështit këtu, e quaj jashtëzakonisht të nxituar”.

Për Kryeministrin shqiptar, “e vërteta është që kemi të bëjmë në rastin konkret, me një betejë transatlantike tregtare”.

Madje, sipas Berishës “kemi pasur këtë problem edhe me mishin”.

Duke mbështetur dhe deklaratën e ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, Berisha pohon që, në rast se aflatoksina në Evropë është me 0.05 nanogram dhe në Shtetet e Bashkuara është me 0.5, do të ishte marrëzi, në qoftë se për një moment dikush mendonte se Administrata amerikane e Kontrollit të Cilësisë së Produkteve Ushqimore dhe Medikamenteve do të pranonte të cenonte me asgjë shëndetin e qytetarëve amerikanë.

Nisur nga letra që i dërgonte një studente nga Vlora, e cila i shkruante e tronditur nga lajmi se qumështi qenka toksik, Kryeministri e konsideronte veprimin e ndërmarrë në Kosovë “një agresion psikologjik mbi qytetarët”.

Berisha i ktheu përgjigje Prishtinës tërthorazi: “Pse duhet të dëmtoj prodhimin tim, kur standardi tjetër (ai amerikan) ka zero impakt mbi shëndetin e qytetarëve?!”

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/