TIRANE, 16 MARS 2013 – Kompanitë e transportit ajror, për çdo vonesë ose anulim të fluturimeve, do të jenë të detyruara të kompensojnë apo dëmshpërblejnë pasagjerët me shuma që shkojnë deri 600 euro për udhëtimet e largëta. Përmes një udhëzimi të publikuar në Fletoren Zyrtare, Këshilli i Ministrave ka përcaktuar detyrimet që duhet të përmbushin kompanitë ajrore ndaj pasagjerëve në rastet kur u refuzojnë hipjen në avion apo kur fluturimi anulohet ose vonohet. “Ky udhëzim ka për qëllim vendosjen e kritereve bazë, për të siguruar një standard minimal të të drejtave të pasagjerëve në rastet kur: u refuzohet hipja në avion kundër dëshirës së tyre; fluturimi i tyre anulohet; fluturimi i tyre vonohet”, shkruhet në dokumentin qeveritar.
Vonesa
Rregullorja përcakton detyrime të qarta ndaj kompanive për vonesa të caktuara, që nisin nga dy deri në pesë orë. Kur bëhet fjalë për vonesa që zgjasin deri katër orë, kompanitë janë të detyruara t’u ofrojnë pasagjerëve falas ushqim dhe pije freskuese, në mënyrë të arsyeshme në varësi të kohës së pritjes. Për vonesat më të gjata se katër orë, pasagjerëve do t’u ofrohet ushqim dhe pije freskuese, në mënyrë të arsyeshme, në varësi të kohës së pritjes, ndërkohë që kompania do të jetë e detyruar t’u ofrojë falas dy telefonata, mesazh me teleteks ose faks, ose e-mail. Për rastet ku nisja shtyhet për ditën që pason, kompania është e detyruar të ofrojë akomodim në hotel, në rastet kur qëndrimi për një ose më shumë net është i nevojshëm, ose një qëndrim shtesë nga ai që mendonte pasagjeri është i nevojshëm. Gjithashtu kompania duhet të mbulojë transportin ndërmjet aeroportit dhe vendit të akomodimit (hotel ose të tjera).
Rimbursimi
Kur vonesa është të paktën pesë orë, kompania është e detyruar të rimbursojë brenda 7 ditëve vlerën e plotë të biletës me çmimin e blerjes, për pjesën ose pjesët e udhëtimit të pakryer, dhe për pjesën ose pjesët pothuajse të realizuara, “nëse fluturimi nuk i shërben më ndonjë qëllimi lidhur me planin fillestar të udhëtimit të pasagjerit dhe me planin e udhëtimit fillestar të pasagjerëve, së bashku me: një fluturim kthimi drejt pikës së parë të nisjes, me mundësinë më të afërt”. Përveç kësaj, kompania është e detyruar t’u ofrojë pasagjerëve: itinerar të ri (kalim te një linjë tjetër), në bazë të kushteve të krahasueshme të transportit, drejt destinacionit final, në rastin më të parë; ose itinerar të ri (kalim te një linjë tjetër), në bazë të kushteve të krahasueshme të transportit, drejt destinacionit final, në një datë më të mëvonshme, sipas dëshirës së pasagjerit, në varësi të vendeve të lira. “Kompensimi i përmendur në paragrafin 1 do të paguhet në dorë, me transfertë bankare elektronike, me mandat bankar ose çek banke, ose me një marrëveshje të nënshkruar prej pasagjerit, me kuponë udhëtimi ose shërbime të tjera”, shkruhet në dokumentin qeveritar.
E drejta e kompensimit
Rregullorja përcakton se, nëse hipja u refuzohet pasa-gjerëve kundër dëshirës së tyre, transportuesi ajror operues menjëherë i kompenson ata. Kompanitë janë të detyruara të kompensojnë me: 250 euro, për të gjitha fluturimet prej 1500 km ose më pak; 400 euro, për të gjitha fluturimet brenda vendeve më të cilat Shqipëria ka marrëveshje për transportin ajror, më shumë se 1500 km, dhe për të gjitha fluturimet e tjera ndërmjet 1500 dhe 3500 km; 600 euro, për të gjitha fluturimet që nuk janë parashikuar për distanca më të largëta se 3500 km. Në përcaktimin e distancës, do të merret për bazë destinacioni i fundit në të cilin refuzimi ose anulimi do të vonojë mbërritjen e pasagjerit pas kohës së planifikuar. “Transportuesi ajror operues mund të zvogëlojë kompensimin e parashikuar në pikën e parë me 50%, kur pasagjerëve u ofrohet një linjë tjetër (itinerar i ri) për në destinacionin e tyre final me anë të një fluturimi alternativ sipas nenit 8, koha e mbërritjes të së cilës nuk e tejkalon kohën e mbërritjes së planifikuar sipas rezervimit fillestar”, shkruhet në dokumentin qeveritar.
/GAZETA SHQIPTARE/





