DURRES, 15 mars 2013 – Një shpërthim me lëndë plasëse është regjistruar sot rreth orës 13.10 minuta në afërsi të Urës së Dajlanit. Famirësisht shpërthimi nuk ka shkaktuar viktima dhe dëme materiale, megjithëse lënda plasëse ka shpërthyer vetëm 1m larg një automjeti që po lëvizte në aksin kryesor të lagjes nr. 14.
Sipas policisë së Durrësit lënda plasëse, që dyshohet të jetë dinamit, ka shpërthyer shumë pranë automjetit tip Range Rover, me targa AA 474 AA, e shtetasit Vilson Traga, vëllai i Ardian Tragës, i arrestuar rreth një vit më parë si autor i një vrasje të regjistruar në muajin korrik të vitit të kaluar.
Objektivi i këtij sulmi me lëndë plasëse, Vilson Traga, ka deklaruar se dinamiti ishte vendosur në mjet dhe në momentin që makina ka hasur në një gropë gjatë rrugës ka rënë dhe për pasojë ka shpërthyer vetëm një metër larg Range Rover-it me të cilin po udhëtonin dy persona. Traga dyshon se dikush mund ta ketë ndjekur e më pas ka vendosur eksplozivin në makinën e tij. Mendohet se lënda plasëse është prodhim artizanal dhe bëhet fjalë pë një shpërthim të telekomanduar.
Policia e Durrësit është duke punuar për të identifikuar personat që kanë gisht me këtë ngjarje dhe një nga pistat kryesore ku janë përqendruar hetimet është ajo e hakmarrjes. Grupi hetimor e lidh ngjarjen me atë të ndodhur me 25 korrik në një resort në Malin e Robit.
Ngjarja e rëndë, e cila dyshohet se është shkaku i këtij atentati, ndodhi më 25 korrik të vitit 2012 tek Mali i Robit. Ardian dhe Leonard Tragaj, kushërinj me njëri tjetrin, pas një konflikti për motive pronësie, qëlluan për vdekje dy persona, ndërsa plagosën rëndë edhe dy të tjerë.
Familja Traga dhe familja Shehi pretendonin pronësinë e një sipërfaqeje toke që u kthye në mollën e sherrit dhe i kushtoi jetën 2 personave.
Pak ditë më parë Policia e Durrësit arrestoi shtetasin Leonard Tragaj, kushëriri i Vilsonit dhe Ardianit, i cili ishte shpallur në kërkim për pjesëmarrje në vrasjen e dyfishtë, të vitit të kaluar.
33-vjeçari dyshohet se bashkë me kushëririn e tij, piktorin Ardian Tragaj, i cili është vetëdorëzuar në polici, janë autorë të vrasjes së Sulejman Shehit dhe Durim Pashalliut mesditën e datës 25 korrik 2012.





