DURRES, 15 mars 2013 – Ministri i Drejtësisë Eduard Halimi dhe njëkohësisht deputet i Durrësit ka parë nga afër pasditen e sotme situatën e vështirë të krijuar në zonën e Shijakut, si pasojë e përmbytjeve të shkaktuara nga dalja nga shtrati i lumit Erzen.
Halimi i shoqëruar edhe nga deputetët Igli Cara e Osman Metalla dhe kryetari i Këshillit të Qarkut, Armand Teliti, është takuar me familjet që përjetojnë për të dytën herë në harkun kohor të dy muajve përmbytjen e shtëpive të tyre.
Ministri Halimi u ka premtuar banorëve se qeveria Berisha do të marrë të gjitha masat për të ngritur një argjinaturë të re, e cila do të parandalonte përsëritjen e situatave të tilla në të ardhmen. Njëkohësisht Halimi deklaroi se do të ngrihen grupet e punës për të evidentuar dëmet që u janë shkaktuar këtyre familjeve, në mënyrë që ato të përfitojnë dëmshpërblim për dëmin që u është bërë. Ministri tha se do të pritet derisa niveli i ujit të bjerë dhe më pas do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme për t’ua lehtësuar sa më shumë problemet që u janë shkaktuar këtyre familjeve.
Mbrëmjen e djeshme si pasojë e prurjeve të mëdha të lumit Erzen dhe daljes së tij nga shtrati u përmbytën 13 familje, të cilat në muajin janar u evakuuan disa ditë nga shtëpitë e tyre deri në uljen e nivelit të ujit brenda shtëpive.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





