LEZHE, 15 mars 2013– Një 32 vjeçar ka gjetur vdekjen si pasojë e përmbysjes së mjetit bujqësor tip “Dum dumi”, në Torovicë. Ngjarja e sotme ka qenë aksidentale, pasi mjeti i viktimës Ndue Qosaj ka dalë nga aksi rrugor dhe është përmbysur në një kanal. Viktima ka qenë duke udhëtuar i vetëm dhe mësohet se po shkonte në tokat bujqësore, përgjatë kënetës së Torovizës. Dje një 50-vjecar nga fshati Krutje e Lushnjes vdiq nga rrufeja teksa ndodhej në banesën e tij.
Ndërkohë Ministria e Brendshme bazuar në informacionet e grumbulluara në Drejtorinë Operacionale të Drejtim Komandimit të Emergjencave Civile nga specialistët e Emergjencave Civile në Institucionet e Prefektëve, Stacionet e PMNZSH-së në rrethe, drejtuesit dhe përfaqësuesit e Njësive të Qeverisjes Vendore, si dhe nga pika të tjera kontakti në nivel qendror dhe vendor jep detaje të situatës deri në këto momente.
Situata në Qarkun e Shkodrës
Në orën 9.30 u mblodh KECQ për të analizuar situaten e krijuar nga reshjet në territorin e Qarkut Shkodër, veçanërisht në rrethin Shkodër, në praninë e Ministrit të Brendshëm, z. Flamur Noka, Ministrit të Bujqësisë, z. Genci Ruli, Prefektja Qarkut të Shkodrës, znj. Voltana Ademi, Drejtori i Përgjithshem i Emergjenave Civile, Z. Alfrd Olli, përfaqësues të KESH, deputetë të Qarkut Shkodër.
Pas takimit ka vijuar inspektimi në zonë, kryesisht në komunën Rrethina, fshatin Bardhaj, fshatin Kuq në komunën Guri i Zi, ku edhe impakti i Lumit Kir është kërcënues në këtë zonë për shkak të gërryerjeve.
Masat e marra për përballimin e situatës së përmbytjes, shkaktuar për shkak të reshjeve të dy javëve të fundit bënë të mundur në kohë kohë rekord, si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme të të gjitha strukturave, e në veçanti të Policisë së Shtetit, evakuimin e komunitetit dhe gjësë së gjallë, duke i garantuar ato në vendet e akomodimit të përkohshëm.
Situata në rrethin e Shkodrës gjatë ditës së sotme paraqitet si më poshtë:
Aktualisht në territorin e rrethit Shkodër është përmbytur rreth 2000 Ha tokë, kryesisht në Bashkinë Shkodër, zona e Bahçallekut dhe Ajasëm, por edhe në komunat Ana e Malit, Berdicë, Dajç, Guri i Zi, Bushat.
Janë në prezencë të ujit rreth 60 shtëpi, ku gradualisht uji po largohet.
Janë evakuar rreth 110 familje, të cilat janë akomoduar në të afërmit e tyre dhe një pjesë në konviktin e Shkollës Industriale. Evakuim ka qenë i përkohshëm, pasi gjatë ditës së sotme familjet janë rikthyer në banesat e tyre.
Aksi i rrugës nacionale në harkun e Bërdicës është i hapur.
Qarku Vlorë
Në qarkun e Vlorës, situata më problematike paraqitet në Urën e Mifolit, në fshatrat Fitore, Trevllazën, dhe Novoselë të komunës Novoselë.
Aktualisht reshjet kanë pushuar dhe situata po vjen duke permiresuar.
Prurjet e lumit Vjosa po pakesohen dhe niveli i ujit tek ura e Mifolit është 6 m nga 7 m që është pika kritike.
Janë evakuar 30 familje te fshatrave të bregut të lumit Vjosë (Fshati Fitore, Novoselë, Zhurë dhe Grykë Pishë), si dhe tre familje që ndodhen pranë urës së Mifolit.
Qarku Fier
Edhe ne qarkun e Fierit situata po vjen drejt përmiresimit.
Më konkretisht toka bujqësore të përmbytura janë:
komuna Hekal 50 ha, komuna Kutë 50 ha, komuna Frakull 50 ha dhe komuna Cakran 30 ha. Në komunën Levan, rreth 38 familje të fshatrave Ferras dhe Çervez 2, jane prekur nga prezenca e ujit, por jo në banesa.
Problematike aktualisht paraqitet gjendja në lumin Seman pasi prurjet tek ura e Mbrostarit jane në kuota maksimale
Qarku Durrës
Situata në qarkun e Durrësit po vjen drejt normalizimit të plotë. Gjatë ditës së sotme janë evakuar reth 20 familje ne fshatin Katund i Ri , komuna Sukth.
Në gjithe qarkun po punohet për eleminimin e pasojave të përmbytjeve
Qarku Lezhë
Gjendja është në përmiresim, rreshjet janë me itensitet të dobët dhe niveli i ujrave në lumenjë dhe kolektorë është në rënie.
Hidrovorët punojnë të gjithë, niveli i ujrave në basenët e hidrovorëve është në kota të larta.
Siperfaqe të tokave bujqësore me prezencë uji janë:
Në zonen e Zadrimës 300ha, Komunat Dajç, Blinisht,Balldre, Kallmet;
Në zonen e Bregut të Matës 400ha, Komunat Kolsh, Zejmen, Shenkoll;
Në zonen Fushë Gjormë 150ha, Bashkia Laç, Mamurras e Kom. Fushë Kuqe;
Në zonen Fushë Mamurras, Adriatik 100ha, Bashkia Mamurras, K. F.Kuqe.
Gjendja e rezërvuarëve është në normalitet të plotë.
Në rrethin Mirditë: problem paraqesin bllokimi i rrugëve rurale nga materialet inerte të rëna nga pjerrtësit malore si dhe shembje të nje segmeti rruge, konkretisht:
-Rruga Rrëshen-Kurbnesh, në afersi të fshatit Farrë, kemi prezecë inertesh;
-Rruga Rrëshen-Malaj, në afersi të fshatit Bungaj, kemi prezencë inertesh.
Problem paraqet dëmtimi i argjinaturën në përroit në fshatin Troshan, Komuna Blinisht të rrethit Lezhë, nga rreshjet, situata është rënduar, me pasoja për banesat, shkollën, infrastrukturën etj.
Qarku Elbasan
Në qarkun e Elbasanit problem është vetëm bllokimi i aksit rrugor Cërik – Banjë – Gramsh, bllokuar si pasojë e prurjeve të materialeve inerte të lumit Devoll.
Në të gjitha zonat vijon puna për normalizim e plotë të situatës.





