DURRËS, 14 mars 2013– Sot pasdite në portin e Durrësit kanë mbërritur dy anije të tipit “Arch Angel”, dhuratë e Departamentit të Shtetit të SHBA, për Rojen tonë Bregdetare.
Burime zyrtare nga Komanda e forcave tona detare bënë të ditur se tre vite më parë, në shtator të vitit 2010, u futën në përbërje të Rojes sonë Bregdetare, 3 anije të tjera të të njëjtit tip.
Këto anije të reagimit të shpejtë me një vlerë 5.3 milion $, sipas Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes, (ODC) në Tiranë, janë nga fondi i koalicionit kundër terrorizmit të SHBA.
Pavarësisht kushteve të vështira të motit, ekuipazhet e dy anijeve në bashkëpunim me specialistët dhe mjetet e Autoritetit Portual Durrës bënë sot të mundur uljen e dy anijeve të reja.
Ndërkohë ekuipazhet e 5 anijeve janë plotësisht të afta për drejtimin e tyre, pas një trajnimi të kryer në verën e vitit 2010.





