ELBASAN, 14 mars 2013- Aktivitetet për Ditën e Verës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit në rrugët e Elbasanit, ku pavarësisht shiut qytetarët kanë dalë për të festuar dhe për të përcjellë urime në këtë ditë.

Kjo festë ka nisur me aktivitetin tradicional, karnavalet dhe krosin e organizuar nga shkollat 9-të vjeçare të qytetit. 

Të inkuadruar në kolona rreshtore me pankarta në duar, si "Stop dhunës", "Mbani pastër mjedisin", etj, qindra fëmijë kanë qenë pjesë e dekorit të festës tradicionale, me veshjet e tyre, duke hedhur edhe parulla për paqe dhe lumturi. 

E veçanta e ditës së sotme janë rrugët e qytetit të Elbasanit, të cilat kanë qenë të mbushura edhe pse më pak se një vit më parë, atmosfera është e njëjtë.

Në këtë ditë, në veçanti të ftuarit dhe vizitorët, nuk kanë harruar të shijojnë edhe një nga specialitetet e kësaj dite "Ballokumen", ku gatimi i kësaj ëmbëlsirë ka një mister për nga mjeshtëria.

BERISHA: GËZUAR DITËN E VERËS, FESTËN TONË MË TË LASHTË!

Kryeministi Berisha uron të gjithë shqiptarët, vecanërisht qytetarët e Elbasanit për festën e Ditës së Verës. Nëpërmjet një mesazhi të postuar në faqen e tij facebook, Berisha e konsideron këtë festë si më të lashtën. 

“Të dashur miq, sot ne festojmë Ditën e Verës, festën tonë më të lashtë. Para nisjes për në Bruksel, ju uroj së pari qytetarëve të Elbasanit, kryeqytetit të festës dhe mbarë qytetarëve shqiptarë, Gëzuar Ditën e Verës, festën e luleve, lulëzimit, shpresës, gëzimit, haresë që sjell pranvera. Uroj shëndet, lumturi, mbarësi dhe suksese për të gjithë”, tha ai. 

RAMA: SHPRESOJME QE SHQIPËRIA TË RILINDË

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i ka përcjellë nga Elbasani urimet e tij për Ditën e Verës. Kreu socialist tha se këtë ditë vere duhet të shpresojmë të gjithë se pas 23 qershorit do të triumfojë demokracia. Rama tha se ky vit do të jetë me bereqet për shkak të shiut që ka nisur të bjerë për herë të parë në Elbasan në këtë festë pagane. 

"Shiu ka sfiduar këtë festë pagane, por pas këtij shiu vjen një rilindje për ekonominë dhe shoqërinë për vendin tonë, i cili këtë verë do të hyjë në rrugën e duhur, në rrugën e shumëpritur, ku do të mirëpritet krahëhapur nga bota demokratike dhe ku shqiptarët do t'i gëzohen demokracisë, ashtu si ajo është krijuar me një hapësirë lirie, konkurence për të gjithë pa dallin bindjesh partiake, pa dallim përkatësish krahinore, por të gjiìthë së bashku si njerëz të barabartë që i përkasim të njëjtit atdhe", tha Rama. Gjatë vizitës në Panairin Dita e Verës, Rama tha se "me fitoren e 23 qershorit biznesi do të fitojë më shumë dhe do të paguajë më pak taksa".

Topalli: Më shumë biznese në katër vitet e ardhshme

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e festoi Ditën e Verës në qytetin e Elbasanit. Pasi vizitoi Panairin "Dita e Verës 2013" Topalli uroi mbarë qytetarët shqiptarë "Gëzuar këtë ditë, në veçanti elbasanasit, të cilët janë dhe mikpritësit e mijëra vizitorëve". 

"Është kënaqësi që festojmë së bashku këtë ditë kaq të bukur. Është një festë që qytetarët elbasanas, me ëmbëlsinë e ballokumeve, me bukurinë e luleve dhe me gëzimin qytetar, i japin kësaj dite. Edhe koha me shi është sfiduar në këtë ditë, pasi të gjithë gëzojnë, të gjithë janë bashkë në këtë ditë të bukur", u shpreh Topalli në një prononcim për mediat. 

Duke vlerësuar panairin, Topalli shtoi se numri i bizneseve nga viti në vit ka ardhur në rritje, ndërsa përgëzoi dhe organizatorët e këtij eventi. 

"Jam e sigurtë se edhe me përfundimin e rrugës Elbasan-Tiranë do të jetë një numër shumë më i madh biznesesh. Ajo që më ka bërë përshtypje këtë radhë janë emigrantët shqiptarë, të cilët 20 vite më parë lanë Shqipërinë, me pamundësinë për të jetuar në këtë vend dhe tashmë janë kthyer në Shqipëri kanë hapur biznese. Bizneset e tyre janë prezente në këto panaire, ku ata kanë sjellë eksperiencën e tyre, si edhe kanë krijuar biznese të reja, duke rritur numrin e të punësuarve", u shpreh Topalli. 

Sipas saj, numri më i madh i bizneseve ka më shumë të punësuar, më shumë mirëqenie, gjë që siç u shpreh Topalli "synojmë ta realizojmë edhe në katër vitet e ardhshme".

Imami mes qytetarëve të Elbasanit në Ditën e Verës

Ministri i Mbrojtjes, njëherësh deputet i qarkut të Elbasanit, Arben Imami, uroi sot me rastin e 14 Marsit, ditës së verës, kryeqytetin e kësaj feste, siç e vlerësoi ai Elbasanin. 

Ashtu si kryeministri Berisha, edhe Imami ka zgjedhur rrjetin social 'Facebook', për të uruar Ditën e Verës. Në faqen e tij ai shkruan se "atmosfera e festimeve për këtë festë kaq të hershme, siç është Dita e Verës në Elbasan, në kryeqytetin e kësaj feste, është impresionante”. 

Duke deklaruar prezencën e tij mes qytetarëve të Elbasanit në këtë ditë të veçantë, Imami shkruan se "as shiu që bie sot, nuk ndali hapat e qytetarëve për të festuar, nga ku gjeta rastin, të eci në rrugët e qytetit dhe t’i uroja ato personalisht në këtë ditë kaq të gëzuar".

Haxhinasto: Vitin tjetër Tirana e Elbasani festojnë bashkë

Ministri i Energjetikës Edmond Haxhinasto ka vizituar qytetetin e Elbasanit me rastin e Festës së Ditës Verës. Ministri ka marrë pjesë në panairin e zhvilluar me rastin e kësaj feste, që siç tha ai, na e ka dhuruar pikërisht ky qytet. 

"Është Elbasani ai që i ka dhënë vendit një ditë feste kaq të bukur, por edhe për shumë arsye të tjera, sepse çfarë bëhet këtu është një simbolikë e mirë për të gjitha ditët e tjera të vitit, përsa u takon familjeve, objektivave të gjithësecilit për të arritur rezultate të larta, por edhe bizneseve", tha Haxhinasto.

"Në këtë panair vijmë me suksese përsa i takon ekonomisë, komunitetit të biznesit, janë hequr taksa për shumë produkte të rëndësishme, TVSH për makineritë e prodhimit, është ulur tatimi mbi të ardhurat për një kategori të caktuar të ardhurash, ato më të ultat, por kemi dhe plane të tjera për të ecur më tej përpara me qëllim që Elbasani, ashtu si edhe Shqipëria të ketë prosperitet", u shpreh Haxhinasto.

Sipas tij, Tirana e Elbasani vitin që vjen do ta festojnë së bashku këtë festë, pasi do jetë ndërtuar edhe autostrada që shkurton ndjeshëm largësinë mes dy qyteteve. 

“Vitin tjetër Elbasani dhe Tirana do ta festojnë bashkë. Rruga e re hap mundësitë e investimeve të huaja e vendase. Kemi çliruar biznesin në favor të punësimit”, tha ai ndër të tjera.