TIRANË, 14 mars 2013 – Heroi shqiptar dhe antiheronjtë e Perëndimit të Egër, skena e betejës nga “Skënderbeu”, si dhe “I miri, i keqi dhe i shëmtuari”, kështu me muzikë të filmave legjendë Çesk Zadeja dhe Enio Morikone, të dy mjeshtra edhe të kolonave zanore, do të jenë së bashku në një koncert pranveror të ushtrisë shqiptare.
Ministria e Mbrojtjes njofton se Orkestra Frymore Kombëtare e Forcave të Armatosura ka planifikuar të organizojë më 15 mars 2013 “Koncertin e Pranverës të Orkestrës Frymore Kombëtare të Forcave të Armatosura”.
Dirigjentë të koncertit janë Valmir Xoxa dhe Edmond Doko.
Në programin e hartuar nga udhëheqësi artistik Ermir Krantja, janë përfshirë Çesk Zadeja – me skenën e betejës nga filmi Skënderbeu; Zhorzh Bize-ja (Georges Biset) me marshin nga “Karmen”-i, Ruxhero Leonkavaloja (Ruggero Leoncavallo) me intermexon simfonike nga opera “Palaçot”, Enio Morikoneja (Ennio Morricone) me përzgjedhje nga muzika e filmave “I miri, i keqi, i shmëtuari” (The Good, the Bad and the Ugly) dhe “Dikur në Perwndim” (Once upon a time in the West) etj.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/