TIRANË, 13 mars 2013 –Tani vetëm një inspektorat apo polici, ministri Fatmir Mediu komandon Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit.
Më 13 mars 2013, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit (ISHMPUP).
Sipas këtij vendimi ky institucion organizohet në dy nivele, në drejtori, në nivel qendror dhe degët territoriale, në nivel qarku, për çdo qark.
ISHMPUP-ja do të drejtohet nga kryeinspektori, i cili është titullari i institucionit.
Kryeinspektori përfaqëson institucionin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin e bashkërendimin e punës për funksionimin dhe për cilësinë e efektivitetin e veprimtarisë së ISHMPUP-së.
Në drejtorinë qendrore krijohet Komisioni i Shqyrtimit të Ankimeve, i cili drejtohet nga kryeinspektori dhe ka në përbërje të tij: një përfaqësues të njësisë që mbulon çështjet juridike; një përfaqësues që mbulon çështjet e metodologjisë së inspektimit; dy ekspertë të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme.
Degët territoriale të Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në këtë qark.
Në degët që kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit sikurse është porti i Durrësit, inspektorët bashkëpunojnë me organet doganore dhe organet e tjera shtetërore për parandalimin e hyrjes së faktorëve të rrezikshëm për mjedisin, ujërat, pyjet dhe peshkimin.
Në strukturën organizative të ISHMPUP-së në drejtorinë qendrore dhe në degët territoriale mbahen parasysh dhe ruhen profilet më të specializuara lidhur me inspektimin për mjedisin dhe ujërat, inspektimin mbi fondin pyjor dhe kullosor, florën dhe faunën, gjuetinë, si dhe inspektimin e peshkimit dhe aktivitetin e akuakulturës.
Një pjesë e trupës inspektuese sipas strukturës përkatëse gëzon dhe ushtron statusin e policisë pyjore.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





