Shqipëria me ekspozitën e fotografit të njohur Roland Tasho “Shqiptarët në Greqi”
SELANIK, 12 mars 2013– OJQ-ja greke “Paidiá En Drásei” dhe free press “Eksostis” organizojnë Festivalin II të Kulturës Ballkanike, që do të zhvillohet më 15 mars 2013 viti në qendrën multikomplekse kulturore “Block 33” në Selanik, në sfondin e dekorit me sekuenca nga filmat e regjisorit të famshëm Emir Kusturica, njoftojnë mediet greke.
Festivali i Kulturës Ballkanike, pas suksesit të madh që korri vitin e kaluar, është përgatitur të presë këtë vit mijëra vizitorë.
Festivali ka si qëllim shpalosjen e larmisë kulturore dhe njëkohësisht të karakteristikave të përbashkëta të popujve të Evropës juglindore.
Krahas kësaj, festivali synon të vendosë ura bashkëpunimi midis organizatave kulturore dhe arsimore që veprojnë në territorin e Evropës Jug-Lindore, si dhe midis konsullatave dhe ambasadave të këtij rajoni.
Në festivalin e këtij viti do të marrin pjesë muzikantë nga gjithë Ballkani, me qëllim forcimin e lidhjeve, shkëmbimin e përvojave dhe të komunikimit të ndërsjellë mes muzikantëve të rinj të rajonit.
Vetëm në një mbrëmje vizitorët e “Block 33” do të mund të udhëtojnë në të gjitha qytetet e gadishullit Ballkanik, nëpërmjet sekuencave të xhiruara nga kinoregjisorë dhe kuadrove nga fotografë ballkanas, që do të shfaqen në video, gjithashtu do të provojnë pjatat më të shijshme të kuzhinës ballkanike, do të argëtohen nën tingujt e muzikës ballkanike.
Shqipëria do të marrë pjesë me ekspozitën e fotografit të njohur Roland Tasho “Shqiptarët në Greqi” (në bashkëpunim me konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Selanik).
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/