NJU JORK ,7 mars 2013 – Muzika e moçme shqiptare e viteve 1929-1930 robëron figura të shquara të kulturës dhe muzikës amerikane e botërore.
“Shqiptarë të moçëm 78 vjeç sikur pëshpëritnin me tone të mbytura qetësuese mes mbledhësish nga e gjithë bota.
Ky, koleksion i pari dhe i plotë në historinë e muzikës së hershme shqiptare, paraqet një muzikë, e cila nuk është dëgjuar dhe botuar qysh në momentin e krijimit të saj në fund të viteve 1920 dhe fillim të viteve 1930”.
Kështu shkruan revista e specializuar amerikane për muzikë “Beta /Forced Exposure” lidhur me hedhjen në qarkullim të albumit me disqe vinili: “DON'T TRUST YOUR NEIGHBORS: Early Albanian Traditional Songs & Improvisations, 1920s-1930s – MOS U ZËRË BESË FQINJVE: Këngë të vjetra tradicionale dhe improvizime shqiptare, vitet 1920-1930)”.
Në këtë rast kemi të bëjmë dhe me një zbulim të rëndësishëm për kulturën shpirtërore shqiptare, e cila, sipas një kritiku muzikor amerikan “është aliene”, që vjen nga gjithësia dhe “të hipnotizon si fantazmat”.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah” do të përditësojë së shpejti këtë lajm me të dhëna të reja, përmbledhje të vlerësimeve në mediet amerikane.
Sipas “Beta /Forced Exposure”, muzika nuk të shqitet e të ndjek pas dhe është e paharrueshme.
Qëmtuar nga tezgat dhe tregjet e Stambollit dhe skutat e fshehta private të mbledhësve më të pasionuar, këto gumëzhime dhe improvizime vokale nuk ngjajnë me ndonjë muzikë tradicionale tjetër të moçme.
U prodhua nga Christopher King, gjashtë herë i nominuar dhe një herë fitues i “Grammy Award” dhe dizajnuar nga grafistja, edhe kjo fituese e “Grammy Award”, Susan Archie.
Piktura e kopertinës është realizuar nga [piktori, muzikanti, kartonisti amerikan me famë botërore] legjendari Robert Crumb. [Piktura titullohet “Folk Band From Shkodra, Albania, 1900 – Orkestër popullore nga Shkodra, Shqipëri, 1900” (realizuar në vitin 2011)”].
Koleksionin e shoqëron një broshurë me 4-faqe të formatit të madh me foto historike dhe shënime të gjera, plus një zarf për 1000 kopje me një vepër arti të Crumb-it.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/