Kandidatja e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, Grida Duma ka paditur sot në Gjykatën Penale kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Në një deklaratë jashtë gjykatës, Duma tha se e ka paditur Veliajn për shpifje dhe sipas saj dëmi i parashikuar do të shkojë deri në 3 milionë lekë të reja.
“Erion Veliaj të vërtetojë saktësinë e shpifjeve të tij. Parashikon ligji që është në detyrën e deklaruesit të vërtetojë vërtetësinë e deklarimeve, deklaratave apo shpifjeve që ai vetë bën. Dispozita ligjore që parashikohet në Kodin Penal, që dëmi i parashikuar do të shkojë deri në 3 milionë lekë të reja në varësi të asaj që Gjykata do të vendosë në formë të prerë. Unë deklaroj që ky dëm do t’i shkojë shtetit shqiptar dhe askujt tjetër. Ajo që jemi sot këtu, është që drejtësia nuk është vetëm një gjykim, drejtësia është besim, vlera e fjalës në politikë është gjithçka për të rindërtuar Shqipërinë dhe besimin në institucione.
Ne jemi sot këtu sepse besojmë që institucionet vihen në funksionim edhe duke bërë ne veprimet e duhura, duke i çuar dhe duke i drejtuar atyre, pro duke i dhënë dhe mbështetjen politike që drejtësia të nisë gjykimin. Besoj që kjo do të jetë një rrugë e gjatë në rindërtimin e institucioneve demokratike, ne do të hedhim një tullë për të treguar që boll më me mashtrime ët hedhura në ajër, me njerëz që lihen poshtë urave, jashtë ambientit dhe mundësive për të ndërtuar Shqipërinë, boll më me mashtrime që dëmtojnë dhje shkatërrojnë Shqipërinë, institucionet dhe jetët e njerëzve. Vlera e fjalës është gjithçka në politikë, gjithçka në jetën tonë.”, tha ajo.





