Kandidati për deputet, Lefter Koka, në një intervistë për “DurrësLajm” ka shpjeguar arsyen e dështimit të investimit për rehabilitimin e kodrës së Currilave, gjatë kohës kur ishte ministër mjedisi.

Në vitin 2015, u investuan rreth 2 milionë euro për frenimin e fenomenit të erozionit dhe gjelbërimin e kodrës, që ngrihet në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit, por, pak vite më pas, gjithçka u kthye në gjendjen e mëparshme.

“Ishte dëshira ime për të çuar investime në këtë zonë, sepse erozioni në Shqipëri ka marrë dimensione shumë të mëdha. Ndryshimet klimaterike në mënyrë të padiskutueshme kanë sjellë këtë impakt”,- thotë ish-ministri i mjedisit.

Ai vlerëson si një hap shumë të rëndësishëm të ndërmarrë gjatë kohës kur drejtonte dikasterin e mjedisit moratoriumin e pyjeve, i cili dha impakt pozitiv për frenimin e këtij fenomeni. Nga ana tjetër, Koka thotë se moratoriumi frenoi prerjen e pyjeve 50-vjeçare.

Sipas tij, “njerëzit nuk mund t’i shohin këto ndryshime për një apo dy vite, por duhen shumë vite”.

Duke u ndalur konkretisht tek investimi i realizuar 6 vite më parë në kodrën e Currilave, Koka thotë:

“Fatkeqësisht investimi në kodrën e Currilave nuk pati atë impakt dhe qëndrueshmëri që mendonin specialistët se do të kishte. Por në Durrës, toka ka këto problematika të erozionit, sidomos nga ana e jashtme e qytetit, pasi në anën e brendshme mund të rrezikojë më shumë nga sizmiciteti”.

Më tej, kandidati i cili renditet në vendin e 7-të në listën e PS për qarkun Durrës thekson se këto investime kanë kosto të larta, por do të implementohen në mandatin e tretë të qeverisë Rama.

“Unë jam i sigurt që në këto 4 vite do të punoj shumë edhe me kryeministrin e vendit dhe unë uroj që ai të jetë deputet i Durrësit definitivisht. Një nga zonat që shoh se mund të zhvillohet, por kërkon investime të mëdha është pikërisht rreth 7.5 km nga zona e Currilave deri në Porto Romano. Ajo mund të bëhet një aset i shtuar për turizmin e vendit”,- thotë Koka.

Sipas kandidatit për deputet, përveç dy projekteve moderne për portin turistik dhe atë industrial të Durrësit, vëmendja e qeverisë do të përqendrohet edhe në sektorin e turizmit për ta pasur atë “në nivele të larta”.

M.B.