Inxhinierja Luljeta Bozo e cila kryeson listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë është shfaqur sërish pas deklaratës ku e konsideroi me shumë anë pozitive regjimin komunist dhe ish-diktatorin Enver Hoxha.

E pranishme në prezantimin e skuadrës së Tiranës nga kryeministri Edi Rama, Bozo në fjalën e saj ‘thumboi’ opozitën, teksa tha se Partia Socialiste nuk i zgjidh gjërat me boks.

Bozo tha se gjithçka zgjidhet me bisedë dhe se këtë gjë e ka kuptuar edhe nga takimet që ka pasur me qytetarët. Kjo fjalë e Bozos u shoqërua edhe nga një batutë e kryeministrit Edi Rama, i cili e quajti “ëmbëlsirë” inxhinieren dhe tha se pas saj do vijë një “kafe nga lali”, referuar kryebashkiakut Erion Veliaj.

Pjesë nga biseda: 

Luljeta Bozo: Me njerëzit me këdo që takoj në rrugë, s’ka nevojë të bësh mitingje, njerëzit të kuptojnë shumë mirë. Kemi një popull shumë të zgjuar. S’ka nevojë për numra si ata që kërkojnë konfrontime nga mëngjesi në darkë. Nuk zgjidhen gjërat me boks. Zgjidhen me biseda.

Edi Rama: Pas ëmbëlsirës dhe një kafe në fund nga lali.

Luljeta Bozo: Çdo e kisha imagjinuar, por që të isha në politikë as mendja nuk më shkonte. Kur më erdhi ftesa nga Rama dhe kur Veliaj më hoqi pasigurite, e kuptova se ne profesionistët jemi shumë të kërkuar. E pranova kërkesën, sepse PS është parti progresiste, me shumë vizion, që merr ata që merr përsipër. Nuk bën vaki që të ketë dhënë premtim e të mos e ketë mbajtur.

Njerëzit duhet ta dinë se PS ka bërë punë të madhe dhe duhet që Partia Socialiste të marrë mandatin e tretë, me qëllim që punët të ecin përpara. Qeveria tregoi veten se di të menaxhojë situatën shumë mirë. Kemi Italinë, e shtata në botë dhe nuk ka strehuar të prekurit. Mandati i tretë i PS është për të mirën e vendit.