Është errësirë kur konti kthehet në kështjellën e tij, dy orë me kalë larg nga Roma. Negociatat me Vatikanin kishin përfunduar shpejt dhe konti i devotshëm mezi priste të kthehej tek gruaja e tij e re.

Në kështjellë është qetësi, por nga dhoma e gruas dëgjohen rënkime të lehta. I alarmuar, i zoti i shtëpisë hap derën dhe sheh: Bukuroshja e tij nuk është vetëm në krevat. I tërbuar nga zemërimi, me gjithë fuqinë e tij godet në kokë personin që ishte në krevat.

Kur drita e llambadarit bie mbi fytyrën e të goditurit, ai mbetet pa frymë: mëkatari është vetë shenjtëria e tij, Papa Gjoni XII, sundimtar i Romës, përfaqësues i Zotit në Tokë dhe kreu i krishterimit.

Shërbëtorët nxitojnë për ta vendosur të dëmtuarin në krevat. Një mjek vjen me shpejtësi. Por Papa nuk jetoi më shumë se një javë. Ndërsa vetëdija nuk iu kthye as gjatë kësaj kohe.

***

Sot është një sensacion kur një Papë paraqet dorëheqjen. 1100 vjet më parë ishte diçka normale- vetëm se shumica e pasardhësve të Pjetrit nuk hiqnin dorë vullnetarisht nga detyra: vetëm në 20 vite mes viteve 896 dhe 916 janë 12 Papë të zhdukur, të mbyllur në manastir ose nën tokë.

Por këta mëkatarë nuk janë asgjë me periudhën e Mesjetës. Në shekullin e 10-të në Vatikan ekzistonte një gjendje që historianët e përshkruajnë me terma si “pornokraci” apo “regjimenti i kurvave”.

Në fokus është e bukura dhe e keqja Marozia (892-932). Ajo kishte tre dashnorë dhe një nga ta u bë Papë: Serxhio III. Që në moshën 22- vjeçare ajo kishte kontrollin mbi shtetin kishtar. Edhe nëna e motra e saj ishin dashnore të njerëzve të fuqishëm.

“Ajo filloi me kujdes të përdorte Papët e madje t’i vriste,” shkruan një kronist i kohës. Të gjithë kandidatët vinin nga familjet e përçara fisnike të Romës.

I preferuari i Marozia-s, Serxhio III, vrau tre Papë. Madje vendosi një rekord të tmerrshëm: në përplasjet për zgjedhjen e Papës, përkrahësit e tij zhvarrosën Papën Formosus, të vdekur përpara 11 muajsh, e vendosën kufomën e tij në një bankë të akuzuarish, e dënuan, e gjymtuan dhe e hodhën në Tiber.

Me vendimin për paraardhësin e tij të vdekur, Papa vrasës mund të legjitimonte sundimin e tij.

***

Në këtë kohë Vatikani ishte si një bordello. Kardinalët bënin festa dhe orgji. Por kur Marozia kërkoi që të bëhej perandoreshë, i biri i saj, Alberich, nuk e pranoi.

Ai nis një luftë kundër mamasë së tij dhe e flaku atë në burg, ku vdiq në mjerim, pa i mbushur akoma 40 vjet.

Pesë Papët e tjerë janë marionetat e Alberich. Duke vdekur, ai vendosi djalin e tij 16- vjeç në fron si Papa Gjoni XII: ai bëhet më i keqi i të gjithëve, një simbol i Papës së padenjë.

Historianët e quajnë atë një nga personazhet më të mjerueshëm dhe më të neveritshëm që ka luajtur rol ndonjëherë në Kishë. Papa ftonte miqtë e tij në orgji masive në Vatikan dhe paguante qindra prostituta me thesaret e Kishës.

Peshkopi Liutprang i Kremonës ka shprehur keqardhje për vrasjet, gjymtimet, tradhtitë, incestin, simoninë, bixhozin, dëshmitë e rreme dhe blasfemitë në këtë kohë. Uria për pushtet e Marozia bëri që më vonë të thuhej se dikur kishte qenë një Papë femër, “Xhoana”.

Shkruar nga Josef Nyary, BILD